Mësuesi që iu pre koka në një rrugë në Francë kishte ditë që merrte kërcënime pasi u kishte treguar nxënësve karikaturat e diskutueshme të Profetit Muhamed.
BBC shkruan se lidhur me vrasjen e tij, janë arrestuar nëntë njerëz, duke përfshirë këtu dhe prindërit e një fëmije në shkollën ku mësuesi punonte.
Sulmuesi u qëllua për vdekje nga policia pranë skenës së krimit ditën e premte.
Sipas policisë, sulmuesi që i preku kokën mësuesit ishte një 18-vjeçar me origjinë çeçene.
Vrasja ndodhi ndërkohë që po zhvillohej një gjyq në Paris për një sulm islamik në vitin 2015 mbi revistën satirike franceze Charlie Hebdo, e cila ishte në shënjestër për botimin e karikaturave.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha se sulmi përmbante të gjitha shenjat dalluese të një “sulmi terrorist islamik” dhe mësuesi ishte vrarë sepse ai u mësoi nxënësve të tij “lirinë e shprehjes”.
Duke folur në vendin e ngjarjes disa orë pas incidentit, Macron bëri thirrje për unitet kombëtar. “Ata nuk do të triumfojnë, nuk do të na ndajnë”- tha ai.
Çfarë dimë deri tani?
Sulmi ndodhi rreth orës 17:00 pranë një shkolle të mesme në qytetin francez Conflans-Sainte-Honorine, rreth 30 km në veri-perëndim të Parisit.
Një burrë duke përdorur një thikë të madhe sulmoi mësuesin në rrugë, duke i prerë kokën. Dëshmitarët thuhet se e kanë dëgjuar sulmuesin duke bërtitur “Allahu Akbar.”
Sulmuesi më pas iku, por policia erdhi shpejt në vendin e ngjarjes, pasi ishte lajmëruar nga publiku. Oficerët u përballën me agresorin në qytetin e afërt Éragny.
Kur i bërtitën të hiqte dorë, thuhet se 18-vjçari i kishte kërcënuar. Oficerët e qëlluan dhe ai vdiq pak kohë më vonë.
Policia ka thënë se sulmuesi ishte një 18-vjeçar, i lindur në Moskë, por nga rajoni jugor i Çeçenisë me shumicë myslimane. Gjyshërit dhe dy vëllezërit e tij janë mes të arrestuarve.
Kush ishte viktima?
Policia e ka identifikuar viktimën si Samuel Paty, një mësues 47-vjeçar i historisë dhe gjeografisë, i cili kishte dhënë mësim për lirinë e shprehjes në fillim të muajit.
Thuhet se ai u kishte treguar nxënësve të tij karikaturat e Profetit Muhamed ndërsa fliste për rastin e revistës satirike Charlie Hebdo. Ai i kishte këshilluar studentët myslimanë të largoheshin nga dhoma nëse mendonin se mund të ofendoheshin.
Disa prindër myslimanë u ankuan në shkollë dhe mediat franceze raportojnë se mësuesi kishte marrë një numër kërcënimesh si rezultat i mësimit që kishte dhënë në klasë.
“Sipas djalit tim, ai ishte mësues super i mirë, super miqësor, super i mire.”– i tha agjencisë së lajmeve AFP një prind nga shkolla, Nordine Chaouadi.
Revista Charlie Hebdo shkroi në “Twitter”: “Intoleranca sapo arriti një prag të ri dhe duket se nuk ndalet në asgjë për të imponuar terror në vendin tonë.”
Franca është përballur me një valë të dhunës që nga sulmi i vitit 2015 ndaj stafit të revistës Charlie Hebdo që la të vdekur 12 persona, përfshirë karikaturistët e famshëm.
Tre javë më parë kur filloi gjyqi ndaj të akuzuarve, një burrë sulmoi dhe plagosi dy persona jashtë ish-zyrave të revistës.
Si po reagon Franca?
Në Asamblenë Kombëtare të Parlamentit të Francës, deputetët u ngritën për të nderuar mësuesin dhe për të dënuar “sulmin e tmerrshëm të terrorit”.
Udhëheqësit myslimanë në Francë gjithashtu dënuan sulmin. “Nuk është një civilizim që vret një person të pafajshëm, është barbaritet”- tha Tareq Oubrou, imam i një xhamie në Bordeaux.
Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin ndërpreu udhëtimin e tij në Marok për t’u kthyer në Paris.
Ministri i Arsimit Jean-Michel Blanquer shkroi në “Twitter” se vrasja e një mësuesi ishte një sulm ndaj Republikës Franceze.
Ai tha se mendimet e tij ishin me viktimën dhe familjen e tij, dhe uniteti dhe vendosmëria ishin përgjigjet e vetme ndaj “terrorizmit islamik”.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e BBC/ Përshtati në shqip Hashtag.al