Kreu i PD-së, Basha, tha sot se Top Channel duhet të mbrojë interesat e taksapaguesve shqiptarë nga abuzimet e qeverisë dhe të mos merret me sulme personale ndaj tij.
I pyetur nga gazetarja e Top Channel mbi një foto të ish-deputetit të PD-së, Bogdani, me ministrin e Shëndetësisë në Zimbabve i arrestuar për afera korruptive, Basha tha se PD-ja është e hapur të bashkëpunojë me drejtësinë për çdo çështje duke nisur nga ai personalisht dhe të gjithë të tjerët.
“Shpresoj që Top Channel do japë edhe pjesë të konferencës për shtyp dhe jo vetëm katër lajme kundër konferencës sime për shtyp siç ka bërë dje e pardje. Është detyra ime ta them sot që t’i kërkojë të vazhdojë linjën e saj editoriale por edhe të mbrojë interesat e taksapaguesve shqiptarë jo vetëm interesat e një partie politike.
Linja editoriale e Top Channel që është pro Ramës këtë e kanë marrë vesh të gjithë nga Australia në Alaskë. Kjo ngre pikëpyetje pse e bën Top Channel këtë, sepse këto janë para të taksapaguesve shqiptarë. Përveç censurës që tashmë dihet për denoncimet lidhur me abuzimet e aferat korruptive të qeverisë, ata merren me sulme personale në shërbim të atyre që mendojnë se unë do mbyll gojën. Nuk ka për të ndodhur. Për çdo gjë që drejtësia kërkon nga PD-ja për të zbardhur çështje të ndryshme, jemi të gatshëm duke nisur nga unë i pari.” – tha Basha.