Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi letër të hapur SPAK-ut: Hetoni deri në fund problematikën në Uzinën e Ballshit


Kryetarja e LSI-së, Kryemadhi, i ëstë drejtuar SPAK-ut me një letër të hapur lidhur mee situatën e naftëtarëve të Ballshit.

Ajo shkruan se edhe pse punonjësit janë prej tre javësh në grevë urie për të drejtat e tyre, qeveria nuk ka marrë asnjë masë për zgjidhjen e problematikës edhe pse është pjesëmarrëse me 15% në ndërmarrjen në fjalë.

Kryemadhi thekson më tej se qeveria i ka mbyllur sytë me ndërgjegje përballë asaj që ka ndodhur në uzinën e Ballshit dhe se është përgjegjëse për abuzimet dhe shkeljet e ligjit.

Në fund ajo i bën thirrje SPAK-ut që të hetojë deri në fund rastin në fjalë, të imponohet ndaj qeverisë e pronarëve deri në zgjidhjen e problemit dhe të vërë para përgjegjësisë penale të gjithë ata që kanë abuzuar me ligjin duke nisur nga ministritë përkatëse.

Letra

Të nderuar,

Jam e detyruar t’ju drejtohem lidhur me situatën kritike në të cilën gjenden punonjësit e kompanisë së naftës A.R.M.O. sh.a., dhe përkatësisht punonjësit sipas njësive KPTHN Ballsh, UPN Fier, Flekt Vlorë.

Këtyre punonjësve nuk u është paguar për një kohë shumë të gjatë paga dhe ata vazhdojnë të mos paguhen edhe sot e kësaj ditë.

Punonjësit gjenden prej më shumë se tre javësh në grevë urie për të fituar të drejtat e mohuara dhe të grabitura në mënyrë të njëanshme prej pronarëve dhe administratorëve të A.R.M.O.

Situata paraqitet edhe më e rëndë duke pasur parasysh që prej ditësh janë ngujuar punonjëset gra, të cilat kanë punuar për vite me radhë në atë ndërmarrje.

Nga pikëpamja ligjore situata është vërtetë skandaloze pasi, të drejtën e marrjes së këtyre pagave, punonjësit e kanë fituar me vendim gjykate.

Është e patolerueshme që qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë veprim, nuk ka monitoruar situatën, nuk ka imponuar gjetjen e zgjidhjeve për punëtorët, ndonëse shteti rezultonte pjesëmarrës me 15% në këtë ndërmarrje, dhe kjo pjesëmarrje ka patur si detyrim kryesor funksionimin e rregullt dhe në përputhje me ligjin, ku themelore dhe mbi të gjitha mbetet garantimi i të drejtave të punonjësve.

Qeveria me ndërgjegje të plotë ka mbyllur sytë përpara shkeljes për një kohë shumë të gjatë, të të drejtave të punonjësve, gjë që ka krijuar këtë tensionim ekstrem social, të natyrshëm të punonjësve, që ka ardhur nga kjo grabitje e mundit dhe e djersës së tyre.

Punonjësit i kanë kërkuar me insistim dhe në mënyrë korrekte këto të drejta të ligjshme të tyre, si dhe kanë organizuar edhe një tjetër grevë urie muaj më parë, në shkurtin e vitit 2020, e cila u mbyll pas kryerjes së një pagese minimale dhe me premtimin nga ana e pronarëve dhe qeverisë për likujdimin e plotë të të gjithë pagave të prapambetura.

Është shumë e qartë të nderuar zotërinj që shkelja e të drejtave të punonjësve ka ardhur si pasojë e shkeljeve shumë të rënda të ligjit dhe kjo situatë paligjshmërie ekstreme është pasuar nga reagimi plotësisht legjitim i punonjësve, të cilët për shkak të papunësisë së imponuar nga veprimet e njëanëshme të pronarëve, janë zhytur në një varfëri ekstreme.

Realisht, përgjegjshmëria ligjore e punonjësve dhe korrektesa e tyre, është vendosur përballë dhunimit të ligjit dhe papërgjegjshmërisë e neglizhencës ekstreme të qeverisë e cila ka mbajtur një qëndrim refraktar ndaj kërkesave të tyre, duke u vënë haptas në krah dhe në mbështetje të shkeljes së ligjit.

Përshkallëzimi i situatës jo vetëm do të sjellë pasoja të rënda për shëndetin dhe jetën e grave greviste, por do të tensionojë akoma më shumë një situatë sociale që praktikisht është në kufijtë ekstrem të varfërisë dhe për pasojë do të krijonte premisat për një përplasje e cila është plotësisht e evitueshme duke zbatuar ligjin dhe duke likuijduar të gjitha detyrimet e pagave të papaguara, që punonjësve në mënyrë të ligjshme u takojnë.

Kërkoj nga ju që të hetoni deri në fund të gjithë këtë problematikë, nxjerrjen e përgjegjësive ligjore dhe imponimin e fortë ndaj qeverisë dhe pronarëve për zgjidhjen e menjëhershme të problemit, pasi pasojat dhe përgjegjësitë për çdo tensionim të mëtejshëm të situatës, në një zonë ku familje në ekstremin e varfërisë kanë mbetur pa asnjë të ardhur, do të binin vetëm mbi qeverinë dhe pronarët e ndërmarrjes.

Kërkoj gjithashtu edhe verifikimin dhe zbardhjen e të gjitha veprimeve dhe mosveprimeve dhe përgjegjësitë penale që rrjedhin prej tyre, të ministrive përkatëse dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *