Vendosni fjalën kyçe....

Aksidentet, pas karantinës rritet shkujdesja në rrugë, më shumë humbje jete në shtator


Muaji shtator ka shënuar një rritje dramatike të numrit të aksidenteve në rrugë që kanë rezultuar fatal edhe në humbjen e më shumë jetëve në raport me shtatorin e një viti më parë.

Gjatë muajve të karantinës u vu re një numër më i ulët aksidentesh për shkak edhe të kufizimeve por duket se kthimi në normalitet ka bërë që shkujdesja në rrugë  të jetë më e madhe.

Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave për aksidentet tregojnë se në muajin Shtator 2020 numërohen 138 aksidente rrugore nga 122 aksidente të ndodhura në muajin Shtator 2019, duke u rritur me 13,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Në nëntëmujorin e 2020, numërohen 903 aksidente rrugore nga 1.136 aksidente të ndodhura në nëntëmujorin e 2019, duke u ulur me 20,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në muajin Shtator 2020, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) është 184 persona nga 152 që ishte një vit më parë, duke u rritur me 21,1 %. Numri i të aksidentuarve në nëntëmujorin e vitit 2020, është 1.164 persona nga 1.570 persona, duke u ulur me 25,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.” vlerëson INSTAT.

I njëjti publikim sjell në vëmendje se në muajin Shtator 2020, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 24 persona nga 20 persona të vdekur në Shtator 2019.  Në nëntëmujorin e 2020, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 138 persona nga 157 persona në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ajo që vihet re është një sjellje e shkujdesur e shoferëve që sipas INSTAT gjatë shtatorit është bërë shkak për aksidente në 89.9 për qind të rasteve ndërkohë që numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25–34 vjeç, duke zënë 33,3 % të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup-moshë janë rritur me 17,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në nëntëmujorin e 2020, aksidentet rrugore, në 14,1 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur 21,1 %, krahasuar me një vit më parë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *