Ish-presidenti Barack Obama është kthyer në fushatë të mërkurën për të mbështetur Joe Biden, ndërsa ka sulmuar ashpër presidentin aktual të SHBA-ve Donald Trump.
Duke folur në një tubim në Filadelfia në emër të Biden, Obama bëri kritikën e tij më të ashpër për pasardhësin e tij. Ai mori në shënjestër retorikën përçarëse të Trump, historikun e tij në Zyrën Ovale dhe zakonin e tij për të ripostuar teoritë e konspiracionit.
“Me Joe-in dhe Kamala-ën në krye, ju nuk do të duhet të mendoni për gjërat e çmendura që ata thonë çdo ditë”– tha Obama, citon Reuters. “Dhe kjo vlen shumë. Ju nuk do të duhet të grindeni për ta çdo ditë. Thjesht nuk do të jetë aq rraskapitëse”.
Obama, i cili qeverisi për dy mandate dhe mbetet një nga figurat më të njohura në Partinë Demokratike, sulmoi presidentin Trump për trajtimin e pandemisë së koronavirusit, duke vënë në dukje se vetë presidenti kishte rënë viktimë e virusit.
“Donald Trump nuk do të na mbrojë papritmas të gjithëve ne”– tha ai, citon Reuters. “Ai nuk mund të marrë as hapat themelorë për të mbrojtur veten”.
“Ky nuk është një reality show. Ky është realiteti”– tha Obama duke iu referuar të kaluarës së Trump-it si një drejtues televiziv i një shfaqjeje reality. “Dhe ne të tjerët duhet të jetojmë me pasojat e paaftësisë së tij për të marrë seriozisht punën”.
Shfaqja e Obamës në fushatë plotësoi një boshllëk të lënë nga Biden, i cili ka qëndruar në shtëpinë e tij në Delaëare që nga e hëna. Ai po përgatitet për debatin e tij të së enjtes me presidentin Trump.