Presidenti i vendit, Ilir Meta ka vlerësuar me dekoratën “Nderi i Kombit” pas vdekjes, kompozitorin dhe muzikantin e shquar shqiptar Çesk Zadeja.
Ceremonia u zhvillua në Universitetin e Arteve.
Gjatë fjalës së tij, Meta u shpreh se Zadeja edhe pse i larguar fizikisht, “por vepra e tij është mes nesh”.
“Emri i Profesorit të nderuar Çesk Zadeja është i lidhur me dy nga simbolet më përbashkuese të shqiptarëve, Himnin Kombëtar dhe Heroin Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Orkestrimi i Himnit, që i madhi Zadeja, realizoi në vitin 1995, është kthyer sot nё njё standard artistik e ligjor pёr interpretimin e drejtё tё tij. Ndërsa muzika legjendare e filmit ‘Skënderbeu’, Simfonia e parë e madhe e muzikës shqiptare, si dhe e gjithë vepra e Profesor Zadesë konsiderohet me të drejtë si pjesë e trashëgimisë më të mirë kulturore e artistike të Shqipërisë, në të gjitha kohët dhe që na bën krenar.
Për vlerat e çmuara si themelues i institucioneve tona muzikore artistike, duke çmuar gjurmët e pashlyeshme të lëna në muzikën kombëtare, si artisti dhe dekani i përhershëm i shkollës shqiptare të kompozimit, i cili lartësoi me krijimtarinë dhe veprën e tij pedagogjike e shkencore traditat dhe emrin e Shqipërisë, pata kënaqësinë ta vlerësoja Profesor Çesk Zadenë, me Dekoratën e lartë ‘Nderi i Kombit’.
I lumtur që këtë Titull t’ja dorëzoja djalit të tij, artistit të njohur Alban Zadeja, në një ceremoni solemne të zhvilluar në Universitetin e Arteve, pikërisht në sallën që mban emrin e Atit të tij.”– shkruan presidenti i cili ka ndarë me publikun dhe disa foto nga ceremonia.