Vendosni fjalën kyçe....

“Presidenti sulmon gazetarët pas shkrimit kritik”- Përplasja mes zëdhënësve


Zëdhënësi i presidentit Ilir Meta dhe ai i kryeministrit Edi Rama, janë përplasur përmes postimeve në rrjetet sociale.

Zëdhënësi i Ramës, Endri Fuga, akuzoi Presidentin se ka sulmuar botuesin Carlo Bolino dhe gazetarin Adriatrik Doçi për shkak të investigimeve që këta të fundit kanë bërë në lidhje me shtetësitë shqiptare që Presidenca ka dhënë në shkelje të ligjit.

”Kur Presidenti i Republikes sulmon familjen e nje botuesi & gazetari pas disa shkrimeve kritike, atehere eshte e qarte se investigimi qenka i vertete. Mund te flasesh sa te duash per lirine e shtypit, por sulmet e uleta si sot tregojne sa e respekton ne te vertete fjalen e lire!”– shkruante Fuga në një postim në Twitter. Por zëdhënësi i presidentit, Tedi Blushi e ka konsideruar “Fake News” pretendimin e Fugës.

Blushi shkruan se Presidenca vetëm ka risjellë në vëmendje një shkrim të Alfred Pezës, i cili është Sekretar për Marrëdhëniet me Shoqërinë Civile dhe Mediat në Partinë Socialiste.

“Si mund të na akuzoni ne për sulm ndaj mediave, kur e vetmja gjë që kemi bërë është publikimi i pyetjeve që kanë për autor Sekretarin e Mediave në PS z.Alfred Peza dhe email që ka për autor deputetin e PS z.Sadri Abazi?”- shkruan Blushi i cili ka publikuar edhe një foto të artikullit të Pezës.

Ndërsa sa i përket gazetarit Doçi, thotë se i janë referuar një emaili të deputetit socialist Sadri Abazi. Ditë më parë, Blushi kishte publikuar disa mesazhe të gazetarit, ku pretendonte se ka kërcënuar drejtoren e Arsimit në Kamëz, duke i ndërhyrë në mënyrë të kundraligjshme për t’i emëruar bashkëshorten në punë.

Gjithashtu ai nxori edhe një email që Doçi i kishte dërguar deputetit Abazi.

REAGIMI I PLOTË I BLUSHIT

Zëdhënësi i Kryeministrit ende në detyrë paska pretenduar se ne kemi sulmuar familjen e një botuesi dhe të një gazetari.

MASHTRIM! FAKE NEWS!

Sepse edhe nëse kjo ka ndodhur, këtë nuk e kemi bërë ne, por Sekretari për Marrëdhëniet me Shoqërinë Civile dhe Mediat në Partinë Socialiste, z.Alfred Peza.

Ne vetëm sa kujtuam pyetjet publike që ai ka adresuar në shkrimin e tij të datës 23 tetor 2018, të cilin po e rikthejmë për t’i freskuar memorien zëdhënësit të Kryeministrit ende në detyrë.

Nëse pyetjet e zyrtarit të lartë të PS përbëjnë sulm ndaj familjes së një botuesi kjo është çështje që duhet ta zgjidhni brenda Sektit tuaj.

Shkruesi i tyre është z.Peza. Nuk mund të na akuzoni ne për autorësinë e tyre.

Sa për gazetarin, ne publikuam një email që na ka mbërritur nga një deputet i grupit parlamentar të PS, meqë dhe radhët po ju shkërmoqen me afrimin e 25 prillit.

Në këtë e-mail dallohet qartë komunikimi i deputetit tuaj, z.Sadri Abazi.

Nëse e keni përjashtuar z.Abazi nga Partia, dhe dyshoni se ai ka filluar punë në Presidencë, kjo nuk është e vërtetë.

Për hir të transparencës ne po e publikojmë edhe këtë e-mail të plotë për t’ju rrëzuar çdo alibi.

Mos u bëni qesharakë deri në këtë pikë!

Si mund të na akuzoni ne për sulm ndaj mediave, kur e vetmja gjë që kemi bërë është publikimi i pyetjeve që kanë për autor Sekretarin e Mediave në PS z.Alfred Peza dhe email që ka për autor deputetin e PS z.Sadri Abazi?

Ndajeni mendjen!

Nëse e keni sulmuar vetë botuesin dhe gazetarin, siç pretendoni, drejtoni gishtin nga vetja dhe kërkoni falje publikisht.

Përndryshe, heshtni dhe prisni me durim përgjigjet e pyetjeve!

Apo mos në atë kohë i ka nxitur vetë Buburreci Trendi këta dy deputetë?

Mos ka qenë vetë Buburreci Trendi autor i pyetjeve dhe i email?!

Nëse është kështu e ftojmë z.Peza dhe z.Abazi t’u thonë shqiptarëve të vërtetën!

Nejse! Kjo është çështja juaj!

Vetëm “koordinohuni” kur mashtroni njëri-tjetrin se u bëtë gazi i botës!

LIRINË DHE PAVARËSINË E MEDIAS DO TA MBROJMË ME ÇDO KUSHT!

Dhe mos harroni: ORA E PËRBALLJES PO AFRON!


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *