Vendosni fjalën kyçe....

Rritja e pragut të TVSH-së në 10 milionë lekë, si të veprojnë 46 mijë bizneset që ishin në skemë


Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, pragu i regjistrimit në tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) do të rritet në 10 milionë lekë, nga 2 milionë lekë që është aktualisht.

Me herët, tatimet kanë bërë të ditur se numri i bizneseve që kanë deklaruar TVSH me xhiro nën 10 milionë lekë është 46.1 mijë. TVSH e paguar nga kjo fashë në vitin 2019 ishte 3.4 miliardë lekë.

Tatimet sqarojnë se nga 1 janari në zbatim të nenit 117, të ligjit, kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar është qarkullimi prej 10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh në një vit kalendarik. Personi i tatueshëm ka të drejtë të zgjedhë të zbatojë regjimin normal të TVSH-së, në përputhje me përcaktimet e nenit 120, të ligjit, nëse qarkullimi vjetor është më i madh se 5 000 000 (pesë milionë) lekë.

Nëse personi i tatueshëm i cili me parë ka qenë i regjistruar në regjimin normal të TVSH-së dhe deri në 31. 12.2020 nuk ka realizuar një qarkullim prej 10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh, personi i tatueshëm  do të ç’regjistrohet nga TVSH-ja bazuar ne VENDIMN Nr. 953, datë 29.12.2014 PËR DISPOZITAT ZBATUESE TË LIGJIT NR. 92/2014, “PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË” I NDRYSHUAR  Neni 11 “Përcaktimi i kufirit minimal të regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH)”

Si veprohet me mallrat stok

Sipas tatimeve, të gjithë personat e tatueshëm, të cilët deri ne 31.12.2020  kanë pasur  mallra stok (inventar) të pa-shitura, ose mallra kapitale, aktive të tjera të përdorura për veprimtarinë, ku TVSH-ja mbi këto mallra ka qenë tërësisht apo pjesërisht e zbritshme, (dmth kanë pagur tvsh-në për këto mallra)  në bazë të nenit 9 të  ligjit Nr.92/2014, datë 27.07.2014 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar dhe udhëzimit Nr 6 datë 30.01.2015 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë”,  këto mallra do të konsiderohen si furnizim kundrejt pagesës dhe personi i tatueshëm është i detyruar të llogarisë ose rregullojë TVSH-në për këtë furnizim.

Bazuar në nenin 38 të  ligjit Nr.92/2014, datë 27.07.2014 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar  vlera e tatueshme e këtij furnizimi duhet të jetë e përbërë nga çmimi i blerjes së këtyre mallrave ose në mungesë të çmimit të blerjes nga vlera e kostos e përcaktuar në momentin kur personi i tatueshëm përfundon veprimtarinë e tij ekonomike të tatueshme.

Çregjistrimi nga TVSH

Personi i tatueshëm që çregjistrohet nga regjimi normal dhe kalon në regjimin e bizneseve të vogla, ose kur është regjistruar vullnetarisht për TVSH-në, detyrohet të paraqesë këto furnizime në deklaratën e TVSH-së të periudhës së fundit që është i regjistruar për TVSH-në ( deklarata dhjetor 2020).

Personi i tatueshëm është përgjegjës për të përmbushur çdo përgjegjësi për TVSH-në që nga momenti që është regjistruar deri në momentin që çregjistrohet nga TVSH-ja, sipas informacionit të tatimeve.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *