Vendosni fjalën kyçe....

“Fëmijët po na shohin nga televizori” – Gratë naftëtare s’e lënë grevën, thirrje Ramës dhe deputeteve


Vijon prej 13 diësh greva e urisë e grave naftëtare në Ballsh, por ende nuk ka një reagim konkret nga qeveria për zgjidhjen e problemit të tyre, përveç thirrjeve të kryeministrit për të lënë grevën dhe nisur negociatat.

Pavarësisht gjendjes së tyre të rënduar, gratë naftëtare nuk pranojnë të dalin nga greva. Ato u bëjnë thirrje dhe deputeteve gra të Parlamentit që të shkojnë t’i shohin nga afër.

Me zërin që i dridhej nga vështirësia që haste për të folur, njëra nga naftëtaret tha se vajza e saj fillon shkollën në 2 nëntor, ndërkohë që ajo ende vijon në grevë pa marrë një zgjidhje për pagat e prapambetura.

 “Sot është dita e 13 e grevës, gjendja jonë është shumë e rënduar. Fëmijët i kemi lënë në shtëpi e na shikojnë vetëm në televizor. Unë kam tre ditë me dhimbje mesi, me veshkat.

I bëj një thirrje kryeministrit: Zoti kryeministër çfarë po kërkoj, çfarë po kërkojnë këto nëna këtu? Vetëm pagat e prapambetura që i kemi fituar me gjyq, vetëm bukën e gojës dhe gjallërimin e qytetit. Asgjë tjetër.

I bëjmë thirrje atyre grave të Parlamentit shqiptar: Zonja të nderuara të Parlamentit shqiptar, ejani njëherë shikoni nënat mallakastriote në çfarë gjendje janë. Nuk e kuptoj, a keni ndjesi nëne?

Por ne do të vazhdojmë, sepse ne jemi gra që kemi punuar me tre turne, jemi gra të forta mallakastriote që e kemi nxjerrë bukën e gojës me gjak, nuk jemi gra që bëjnë show televiziv. Jemi gra që vuajmë për të shkolluar fëmijët. Në datën 2 fillon shkolla dhe unë jam ende në grevë.

Zoti kryeministër, rregullator i Shqipërisë, jepi zgjidhje këtyre grave. Vërtetë thotë është privat me privat por kush e solli privatin? E solla unë? Të kthehet në qeveri humaniste për nënat. Nuk di çfarë të them, më dalin nga shpirti këto fjalë”, tha një nga zonjat në grevë me zërin që i dridhej.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *