Anëtari i kryesisë së PD-së, Jamarbër Malltezi, ka denoncuar tharjen e Liqenit të Thatë në Tiranë dhe prishjen e Parkut Kombëtar të Dajtit për shkak të guroreve që janë hapur.
Lidhur me denonimin e parë, ai ka publikuar një foto ku duken disa mjete të tonazhit të rëndë duke punuar në një sipërfaqe të mbuluar me dhe që sipas Malltezit është te Liqeni i Thatë dhe është kthyer në shesh ndërtimi.
“Të rroni e t’a kujtoni liqenin dhe Kopshtin! U zhdukën zambakë uji, mjelma e rosa se ashtu është një punë.” – shkruan Malltezi në Facebook.
Ndërsa për Parkun Kombëtar të Dajtit ai shkruan se po shkatërrohet nga guroret që po ndërtohen nga oligarku i Ramës.
Malltezi thekson se edhe pse ndaj ministrit të Mjedisit Klosi e drejtorëve Dedej e Konomi ka një denoncim në SPAK lidhur me këtë çështje, nga prokurorët nuk ka asnjë përgjigje.
“A është ky Parku Kombëtar i Dajtit apo Gurorja e Oligarkut të Ramës? A mund të shpëtohej Parku Kombëtar? A ka përgjegjësi që Parku Kombëtar të kthehet në Gurore? Ka 6 javë që kemi depozituar kallëzim penal për Klosin dhe drejtorët e tij, Dedej dhe Konomi, por nuk ka asnjë përgjigje nga SPAK. Pastaj dëgjon fraza boshe shabllon “kini besim se drejtësia e re…”. Fiks si komunistët në ‘45.” – shkruan Malltezi në denoncimin e tij.