Vendosni fjalën kyçe....

Rama i doli në mbrojtje, reagon Bardhi: Ajo çfarë tha Manastirliu është reflektim i situatës ku është zhytur shëndetësia


Pas postimit të Kryeministrit Edi Rama i cili i doli në mbrojtje deklaratës së Ministres Ogerta Manastirliu, ka reaguar Sekretari i përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi.

Bardhi thotë se Rama nuk zhgënjeu me deklaratën e tij duke mbrojtur krimin dhe korrupsionin.

Sipas Bardhi deklarata e Manastirliut është realiteti ku qeveria Rama ka futur sistemin shëndetësor.

“Edi Rama nuk zhgënjeu edhe sot! Është gjithmonë gati për të mbrojtur krimin dhe korrupsionin. Sa më shumë përkeqësohet situata e pandemisë, aq më jashtë realitetit shfaqet Edi Rama dhe aq më i zellshëm është në mashtrime dhe videomontazhe. Përpiqet të mashtrojë shqiptarët se nuk panë atë që panë dhe nuk dëgjuan atë që dëgjuan nga Ministrja e tij e Shëndetësisë: “Nëse kemi mbingarkesë në spitale, do të përballemi me zgjedhjen se kush do të trajtohet i pari”.

Ajo çfarë ka thënë Ministrja e Shëndetësisë është reflektim i situatës ku e ke zhytur Edi Rama vendin. Vetëm për të mos hequr dorë nga vjedhja me inceneratorët, koncesionet e tenderat Edi Rama i ka lënë shqiptarët të vetëm përballë krizës shëndetësore dhe asaj ekonomike”-shkruan Bardhi.

Bardhi shkruan më tej: “propaganda e egër e Edi Ramës nuk fshin dot faktet:

  • Sot në sistemin shëndetësor publik mungojnë tamponët për testim.
  • ISHP vonon deri në 10 ditë përgjigjet e tamponëve.
  • ISHP nuk ndjek zinxhirin e infektimeve për të ndaluar përhapjen e tij.
  • Njerëzit nuk marrin kurim derisa shtrohen në gjendje kritike.
  • Shqipëria ka numrin më të ulët të testimeve në Europë, numrin më të ulët të mjekëve dhe kapaciteteve spitalore.

Të gjitha këto janë përgjegjësi direkte e dështimit të Edi Ramës dhe Ogerta Manastirliut, që paguhen me shëndetin dhe jetën e qytetarëve.

Me propagandën dhe videomontazhet e Edi Ramës humbasin njerëzit e zakonshëm”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *