Vendosni fjalën kyçe....

8 pyetje për “Komitetsat”


Nga Erion Dasho

DOKTORË DHE POLITIKANË

Dje u mblodh komiteti i ekspertëve kundër COVID. Fatkeqësisht, në vend që publiku të dëgjonte ndonjë muhabet ekspertësh, dëgjoi ankesa të “ekspertëve” kundër politikanëve që qenkan duke “nxirë” punën e shkëlqyer të komitetsave!!!

Në vijim nuk munguan as patetizmat e zakonshme ku bëhet thirrje për respekt sepse antarët e komitetit janë duke u përballur dora vetë me “armikun e padukshëm” çka, sipas tyre, nënkupton se janë të pakritikueshëm.

Në se do të ishin duke trajtuar në përputhje me evidencat më bashkëkohore, kjo edhe mund të kapërdihej, por në përbërje të atij komiteti janë ca shefa në spitalet e të cilëve çdokush që intubohet vdes dhe ku vdekshmëria reanimatore qëndron në shifrat e frikshme 60% deri 80%.

“Bashkëluftëtarët” e së njëjtës “llogore” me komitetsat janë ata që japin recetat bombastike me vlerë qindra Euro sapo një qytetar ankohet për pak kollë e qurre. Madje të tilla receta kanë dalë edhe nga WhatsApp-i i ndonjë prej pjesëmarrësve në tavolinën e djeshme.

Dhe megjithatë, qoftë politika, qoftë unë e kolegët e mi kritikë gjithmonë kemi folur me respekt për profesorët e kolegët tanë në atë tavolinë duke respektuar faktin se ata, me sa kanë mundur e sa kanë ditur, janë përpjekur.

Por kolegët duhet të kuptojnë se për ata ka ardhur tashmë koha të japin llogari për ca gjëra që janë direkt përgjegjësi e tyre:

  1. Pse sektori publik nuk teston?
  2. Pse qytetari paguan 100 apo më shumë euro në privat për të bërë një test që në Europë kushton 10 Euro?
  3. Pse akoma nuk ka një platformë dixhitale gjurmimi?
  4. Pse mjeku i familjes është lënë pa mjete mbrojtëse sot në tetor?
  5. Pse nuk ka protokolle mjekimi? Pse në 14 tetor hartohet më në fund një gjysmë protokoll për mjekët e familjes dhe në nëntor ka akoma mjekë që nuk e kanë marrë këtë protokoll apo nuk janë trajnuar për t’a zbatuar?
  6. Pse pacientët e shtruar në spital kanë një vdekshmëri të frikshme?
  7. Pse çarterët e pacientëve po fluturojnë drejt Turqisë më shpesh se ç’udhëtojnë taksitë nga Rinasi në Tiranë?
  8. Pse ajo tavolinë ekspertësh nga dy linjat strategjike të OBSH-së: testo-gjurmo-trajto dhe distancë-higjienë-maskë përsërit si papagall vetëm të dytën dhe ka anashkaluar totalisht të parën?

Këto sa për fillim, sepse me përgjigjen ndaj këtyre pyetjeve, hapen edhe dhjetëra të tjera.

Kolegët të cilët në qershor ankoheshin se nuk i dëgjonte njeri, bëjnë mirë t’i mbushin mendjen gjysmës politike të komitetit për masat e domosdoshme që duhet të merren sot me qëllim që shqiptarët të mos vdesin apo të mos rrënohen ekonomikisht nga trajtimet që nisin me qindra dhe përfundojnë me mijëra euro!

Të nderuar komitetsa!

Shqiptarët po sëmuren dhe po vdesin!

“Lufta” juaj nuk është në pavionët tuaj të vegjël, por në fushën e madhe të strategjive, planeve të zbatimit dhe evidencave.

Sa më parë t’u mbushni mendjen shefave tuaj de jure dhe de facto se “luftërat” nuk i fitojnë këmbësorët por gjeneralët, aq më mirë është për shqiptarët!

Bëhuni dinjitozë duke rigjetur atë dinjitet që ne kolegët tuaj jua njohim dhe jua kemi vlerësuar gjithmonë!


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *