Numri i viktimave nga tërmeti që goditi të premten Turqinë është rritur në 58. Lajmi u njoftua nga presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan.
Të paktën 920 njerëz kanë mbetur të plagosur gjithashtu nga tërmeti me magnitudë 6.6 ballë që goditi Izmirin, qytetin e tretë më të madh të Turqisë.
“Ne jemi të vendosur të shërojmë plagët e vëllezërve dhe motrave tona në Izmir, të cilët janë prekur nga tërmeti, para se të fillojë moti i ftohtë dhe shirat.”- tha Erdogan, citon Anadolu Agency.
Presidenti ka deklaruar se atyre që u janë shkatërruar shtëpitë, do u ndërtohen shtëpitë e reja “sa më shpejt të jetë e mundur”.
Deri në 104 njerëz janë shpëtuar nga rrënojat e banesave të shembura, ndërsa operacionet e kërkimit dhe shpëtimit ende vazhdojnë.