Një përleshje e ashpër shpërtheu në rrugët e qytetit jugor francez Montpellier të dielën ndërsa dy banda rivale të armatosura me pistoleta dhe armë automatike u përleshën me njëra-tjetrën. Policia tha të paktën një person u plagos gjatë shkëmbimit të zjarrit.
Zhurma e fortë e të shtënave tronditën rrethin veri-perëndimor La Paillade të Montpellier të dielën pasdite, ndërsa të dy bandat në dukje shkarkuan breshëri plumbash ndaj njëra-tjetrës.
Në videon dramatike të publikuar në rrjetet sociale tregohen persona të armatosur e të maskuar ndërsa të shtënat shurdhuese shfaqen pranë Kullës Assas – një ndërtesë banimi e përshkruar si më e larta në rajonin jugor francez të Languedoc-Roussillon.
Një video tjetër që është shfaqur në rrjetet sociale tregon një burrë që me sa duket ishte plagosur në përleshjen me armë. Forca të shumta policie, të mbështetura nga forcat speciale dhe ushtria janë vendosur në vendngjarje, sipas mediave franceze. Ata siguruan zonën, ndërsa personi i plagosur u dërgua në spital nën shoqërimin e policisë.
Shkëmbimi i zjarrit lindi nga një konflikt midis dy bandave, i tha një burim policie medias lokale, me disa dëshmitarë që pretenduan se mosmarrëveshja ishte mbi një marrëveshje droge.