Vendosni fjalën kyçe....

Çfarë dimë për të riun që vrau katër veta në Vjenë


I veshur me një bluzë dhe kapuc të zi, me një pushkë automatike, një pistoletë dhe një hanxhar në duar, 20-vjeçari Kujtim Fejzulai pozoi për foto përpara se të nisej për të kryer masakrën në Vjenë. Dhe foton e publikoi në Instagram.

Të hënën Fejzulai vrau katër persona dhe plagosi 22 të tjerë në atë që ishte sulmi më vdekjeprurës në dekada në kryeqytetin e Austrisë.

Ai qëlloi ndaj kalimtarëve për rreth nëntë minuta derisa u qëllua për vdekje nga policia. Sipas dëshmitarëve dhe videove të publikuara në rrjet, ai në një moment u kthye për të qëlluar një nga viktimat për herë të dytë.

Ministri i Brendshëm austriak Karl Nehammer tha se Fejzulai ishte një “terrorist islamik”, i cili lindi në skajet jugore të Vjenës më 24 qershor të vitit 2000 nga prindër me origjinë nga Maqedonia e Veriut – ai një kopshtar dhe ajo një ndihmëse dyqani.

“Që nga puberteti, i akuzuari kishte probleme masive në shtëpi, të cilat gjithashtu çuan në ekspozim të dhunës”– thuhej në dokumentet e gjykatës të vitit 2019, citon Reuters.

Në kohën kur ishte 18-vjeç, ai kishte tërhequr vëmendjen e agjencisë së brendshme të inteligjencës së Austrisë, duke u bërë i njohur si ndjekës i ideologjisë xhihadiste.

Fejzulai u përpoq të kalonte kufirin nga Turqia në Siri në vitin 2018 por u kap dhe u deportua në Austri, tha shefi i sigurimit të vendit Franz Ruf të mërkurën.

Gjykata penale e Vjenës e dënoi Fejzulain me 22 muaj burg në prill të vitit 2019 për anëtarësi në një organizate terroriste dhe për përhapje të propagandës.

Për shkak të moshës së tij të re, ai duhej të vuante vetëm një të tretën e dënimit dhe u la i lirë në dhjetor të vitit 2019.

Gjykata kishte arritur në përfundimin se Fejzulai, një tifoz i futbollit, dukej të ishte “mendjehapur dhe i arritshëm”, “sigurisht reflektues dhe i strukturuar mirë nga pikëpamja kognitive”.

Dihet pak për jetën e tij pas kësaj, përveç se ai mori pjesë në një program de-radikalizimi.

Nikolaus Rast, avokati që përfaqësoi Fejzulain gjatë atij gjyqi, tha se ishte i shokuar nga lajmi i sulmit, duke thënë se ai kurrë nuk do të kishte menduar që i riu ishte në gjendje të bënte një gjë të tillë.

Ai tha se i kujtohej klienti i tij si “një shpirt i humbur… një djalë i vogël, i cili po kërkon vendin e tij në shoqëri, por nuk di se ku të shkojë”. Rast shtoi se ai kishte krijuar përshtypjen se Fejzulai kishte gjetur rrugën e tij drejt “vlerave të vërteta të shoqërisë”. Megjithatë shton: “Por padyshim që ai arriti të na mashtrojë të gjithëve”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *