Demokrati Joe Biden është drejt fitores në zgjedhjet amerikane, por kundërshtari i tij republikan Presidenti Donald Trump po sfidon numërimin e votave në katër shtete kryesore. Pra, çfarë mund të ndodhë?
Fushata e Trump ka deklaruar se ka mashtrim të votuesve dhe kërkon të ndalojë numërimin e votave në Pensilvani, Uiskonsin, Xhorxhia dhe Miçigan.
A nuk duhet t’i dinim rezultatet deri tani?
Po dhe jo. Zakonisht, kur të dhënat tregojnë se një kandidat ka një epërsi të pamposhtur, rrjetet kryesore amerikane shpallin një kandidat fitues. Kjo tenton të ndodhë në orët e para të mëngjesit pas ditës së votimit.
Këto nuk janë rezultate zyrtare përfundimtare – ato janë parashikime, dhe rezultatet zyrtare përfundimtare ka dashur gjithmonë disa ditë për t’u numëruar.
Por vëllimi masiv i votave postare të këtij viti do të thotë që numërimi po zgjat më shumë, veçanërisht pasi disa shtete kryesore nuk kanë lejuar numërimin e votave përpara ditës së zgjedhjeve.
Kështu që atyre u është dashur të numërojnë gjithçka në atë ditë dhe numërimi i votave postare mund të zgjasë më shumë se votat personale për shkak të kërkesave të verifikimit.
Kur del fituesi?
Nëse garat janë shumë afër për të deklaruar fituesin dhe asnjë kandidat nuk pranon të dorëzohet, është normale që numërimi të vazhdojë, thotë Matthew Weil, drejtori i projektit të zgjedhjeve të Qendrës Bipartizane të Kërkimit të Politikave.
Kishte pengesa përpara votimit
Këto zgjedhje ishin tashmë shumë të diskutueshme.
Para të martës, kishte më shumë se 300 procese gjyqësore në 44 shtete në lidhje me votimin postar dhe të parakohshëm në zgjedhjet e këtij viti.
Ata përqendroheshin në një varg çështjesh siç janë afati i fundit për postimin dhe marrjen e fletëve të votimit, nënshkrimet e dëshmitarëve të kërkuara dhe zarfat e përdorur për t’i postuar ato.
Shtetet e drejtuara nga republikanët thanë se kufizimet ishin të nevojshme për të parandaluar mashtrimin me votat.
Por demokratët konsideruan se këto ishin përpjekje për ndaluar njerëzit të ushtrojnë të drejtat e tyre qytetare.
Cilat janë sfidat që sjell Trump?
Uiskonsin
Fushata e presidentit tha se ka kërkuar një rinumërim në Uiskonsin.
Është e paqartë se kur do të ndodhë ky rinumërim, megjithatë, kjo zakonisht nuk ndodh derisa zyrtarët e qarkut të përfundojnë shqyrtimin e votave. Afati i fundit i shtetit për këtë pjesë të procesit është 17 Nëntori.
Profesori i Shkollës së Drejtësisë të Universitetit të Kolumbias, Richard Briffault, thotë se kishte një rinumërim në Uiskonsin edhe në vitin 2016. Nga rinumërimi ndryshuan “rreth njëqind vota”.
“Një rinumërim nuk është një mjet për të sfiduar ligjshmërinë e një vote.”– shpjegon ai. “Është thjesht një mjet për t’u siguruar që llogaritjet janë të drejta.”
Miçigan
Trump fitoi në këtë shtet në vitin 2016 me diferencën më të vogël – pak më shumë se 10,700 vota. Më 4 nëntor, fushata e tij njoftoi një proces gjyqësor për të ndaluar numërimin atje, megjithëse 96% e votave janë mbledhur tashmë jozyrtarisht nga zyrtarët e zgjedhjeve lokale.
Mijëra vota mbeten të pa numëruara dhe shumë vijnë nga rajone që janë historikisht demokratike, por mediat amerikane dhe BBC po projektojnë një fitore për Joe Biden.
Pensilvania
Sfida këtu përqendrohet në vendimin e shtetit për të numëruar fletët e votimit që janë postuar nga Dita e Zgjedhjeve por që arrijnë deri në tre ditë me vonesë. Republikanët po kërkojnë një apel.
Matthew Weil thotë se ai është më i shqetësuar për këtë mosmarrëveshje pasi gjykata e lartë e vendit ishte bllokuar para zgjedhjeve – dhe para se të bashkohej gjyqtarja Amy Coney Barrett.
“…unë mendoj se ekziston rreziku që disa prej votave postare që u hodhën deri në ditën e zgjedhjeve dhe nuk u morën deri të premten mund të hidhen poshtë. Mendoj se do të ishte një rezultat i gabuar, por mendoj se është një rezultat i mundshëm ligjërisht”.
Por Weil shton se zgjedhjet do të duhet të jenë “shumë, shumë afër që kjo të ketë rëndësi”. Ai tregon se zyrtarët shtetërorë kishin dërguar mesazhe përpara ditës së zgjedhjeve duke u bërë thirrje votuesve që të dorëzojnë fletët e votimit që mungojnë në vendet e votimit në vend që t’i postojnë ato. “Kështu që mendimi im është se nuk do të jetë një numër i madh fletëvotimesh që mund të hidhen, nëse do të ishte kështu.”
Profesori Briffault gjithashtu thekson që fletët e votimit që mbërrijnë vonë po numërohen veçmas dhe thotë nëse Biden vijon përpara pa u numëruar ato, ai nuk sheh asnjë bazë për një sfidë ligjore.
Por fushata e Trumpit ka deklaruar fitoren në shtet megjithëse ka më shumë se një milion vota akoma për t’u mbledhur. Asnjë rrjet i madh amerikan nuk ka parashikuar ende një fitues.
Xhorxhia
Republikanët e shtetit dhe fushata e Trump kanë ngritur një proces gjyqësor për të ndalur numërimin, duke pretenduar probleme me përpunimin e votave që mungojnë.
Kryetari i Republikanëve të Xhorxhias, David Shafer, shkroi në Twitter se vëzhguesit e partisë panë një grua “të përziejë mbi 50 fletë votimi në pirg të fletëvotimeve të pa numëruara”.
Ata i kanë kërkuar një gjykatësi të japë llogari për fletët e votimit të qarkut që u morën pas votimeve të mbyllura ditën e zgjedhjeve.
A mund të shkojë në Gjykatën e Lartë?
Herët të mërkurën, Trump gjithashtu deklaroi: “Ne do të shkojmë në Gjykatën e Lartë të SHBA-ve, ne duam që të gjithë votimet të ndalen”.
Votimi tashmë është ndalur – qendrat e votimit u mbyllën në Ditën e Zgjedhjeve, megjithëse ekziston çështja e votimeve të vona, si në Pensilvani.
Weil thotë: “Gjykata e Lartë nuk ka asnjë lloj fuqie të veçantë për të ndaluar procesin ligjor të numërimit.”
Prof Briffault gjithashtu thotë se fushatat mund të kundërshtojnë garat e ngushta në shtetet kryesore, por “megjithatë ata ende duhet të kenë një çështje që ngre një shqetësim kushtetues” që ajo të arrijë në Gjykatën e Lartë.
“Nuk ka asnjë proces standard për sjelljen e mosmarrëveshjeve zgjedhore në Gjykatën e Lartë. Është shumë e pazakontë dhe do të duhet të përfshijë një çështje shumë të rëndësishme.”
Nëse rezultati i zgjedhjeve sfidohet, do të kërkonte që ekipet ligjore të sfidojnë rezultatin në gjykatat e shtetit. Gjykatësit e shtetit do të duhet të mbështesin sfidën dhe të urdhërojnë një rinumërim, dhe atëherë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë mund t’u kërkohet të prishin një vendim.
Në disa vende, rinumërimet shkaktohen automatikisht nëse marzhet janë mjaft afër – kujtoni ato të Floridës në zgjedhjet presidenciale të vitit 2000 midis George W Bush dhe Al Gore.
Për sa kohë mund të zvarritet kjo?
Për shkak se kjo është një garë presidenciale, ka afate të rëndësishme federale dhe kushtetuese për të lëvizur gjërat:
Shtetet kanë rreth pesë javë nga 3 nëntori për të kuptuar se cili kandidat fitoi garën e tyre presidenciale. Ky quhet afati “port i sigurt” dhe këtë vit, është 8 dhjetori.
Nëse shtetet nuk kanë vendosur zgjedhësit e tyre deri në këtë datë – mos harroni që presidenti zgjidhet nga një kolegj elektoral, jo nga vota e popullit – Kongresi mund të vendosë që zgjedhësit e tyre nuk do të llogariten në fund.
Më 14 dhjetor, zgjedhësit mblidhen në shtetet e tyre përkatëse për të votuar.
Nëse ende nuk kemi një fitues të shumicës pas 6 janarit, atëherë Kongresi vendos rezultatin në ato që quhen zgjedhje të kushtëzuara.
Dhoma e Përfaqësuesve do të zgjedhë presidentin ndërsa Senati konfirmon zëvendëspresidentin. Po, kjo do të thotë që ne mund të shohim një president dhe zëvendëspresident nga parti të ndryshme.
Çdo delegacion shtetëror i Dhomës së Parë merr një votë. Kushdo që fiton 26 delegacione është presidenti i ri i SHBA-ve.
Por Weil vëren se “shumë gjëra do të duhet të shkojnë keq për të arritur në këtë situatë ku Dhoma dhe Senati me të vërtetë vendosin presidencën”. Zgjedhjet do të duhet të jenë tepër të afërta.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e BBC