Vendosni fjalën kyçe....

Nga data e zgjedhjeve te dekoratat – Çfarë ndryshon në kompetencat e Metës me draftin e PS-së


Zbardhet drafti i plotë i maxhorancës për institucionin e presidentit. Në një prononcim për mediat pak më herët, deputeti socialist Adnor Shameti tha se ky ligj nuk cënon dhe as ngushton kompetencat e presidentit, por i jep fund problematikave artificiale të krijuara ndër vite.

Dekretimi i ministrave

Sipas këtij drafti, Presidenti nuk mund të anulojë datën e zgjedhjeve dhe nuk mund të mos dekretojë emërimin e ministrave pa u konsultuar me maxhorancën. 

Përsa i përket dekretimit të ministrave, presidenti ka 7 ditë kohë për t’u shprehur. Nëse ai nuk shprehet për 7 ditë, emërimi i ministrit bëhet nga Kuvendi. Kujtojmë këtu rastin e ministrit të deleguar Gent Cakaj, të cilin presidenti Ilir Meta nuk pranoi ta dekretonte.

“Në rast se Presidenti i Republikës nuk nxjerr dekretin për emërimin e ministrit të propozuar nga Kryeministri brenda 7 ditëve nga marrja e propozimit, atëherë Kryeministri ia paraqet propozimin Kuvendit për miratim, pavarësisht nga mungesa e dekretit për emërim. Ministri i miratuar sipas kësaj pike bën betimin drejtpërdrejt në Kuvend, pavarësisht nga mungesa e dekretit për emërim”, propozohet në draft. 

Data e zgjedhjeve

Ndryshime ka patur lidhur me përcaktimin e datës së zgjedhjeve, që nëse nukcaktohet nga presidenti, përsëri vendimi i kalon Kuvendit.

Sipas draftit, data e zgjedhjeve vendoset me konsensus nga palët politike, por në momentin që nuk është arritur dot në një konsensus, caktohet data e partisë në pushtet.

“Presidenti i Republikës cakton datën e zgjedhjeve pas konsultimit me kryetarët ose përfaqësuesit e autorizuar të partive parlamentare. Data e zgjedhjeve përcaktohet nga Presidenti i Republikës mbështetur në konsensusin e partive pjesëmarrëse në konsultë. Në rast se mungon konsensusi, atëherë Presidenti i Republikës cakton datën e zgjedhjeve, sipas propozimit të partisë apo partive që mbajnë numrin më të madh të mandateve parlamentare”, shkruhet në draft. 

Betimi i gjyqtarëve

Përsa i përket betimit të gjyqtarëve, nëse presidenti nuk i thërret presidenti brenda 7 ditësh, ata do të betohen para KLGJ. 

“Në këtë rast, si dhe kur Presidenti nuk shprehet, kandidati shpallet i emëruar dhe fillon detyrën brenda 15 ditëve nga data e vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor”, thuhet në draft. 

Kujtojmë se lidhje me këtë çështje ka pasur një ngërç mes dy institucioneve, Presidencës dhe KED-së lidhur me emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Dhënia e nënshtetësive

Edhe lidhur me këtë pikë ka patur ndryshimeve, pas raportimeve në media për nënshtetësitë e dhëna nga presidenti Ilir Meta në shkelje të ligjit.

Sipas draftit, presidenti duhet të konsultohet ngushtësisht me Ministrinë e Brendshme dhe organet e sigurisë, për dhënien e nënshtetësive.

“Dhënia e shtetësisë shqiptare dhe lejimi i lënies së saj bëhen nga Presidenti i Republikës me dekret, me propozim të ministrit që mbulon çështjet e brendshme, brenda 60 ditëve nga marrja e propozimit. Dekreti kundërfirmohet nga ministri propozues.Kërkesat, për të cilat Presidenti i Republikës dhe ministri që mbulon çështjet e brendshme kanë gjykim të kundërt quhen të rrëzuara.”, thuhet në draft. 

Dhënia e dekoratave

Edhe dekoratat duket se janë një problem për maxhorancën, pas kritikave të herëpashershme që i kanë bërë presidentit.

Sipas draftit, presidenti nuk mundet më të japë një dekoratë, nëse nuk merr konfirmimin nga ana e organit propozues.

“Dekoratat dhe titujt e nderit jepen nga Presidenti i Republikës me dekret, me propozim të organeve të përcaktuara me ligj. Dekreti kundërfirmohet nga organi propozues”, thuhet në draftin që në nenin 31, synon të kufizojë dhe dhënien e dekoratave nga Presidenti. /Hashtag.al

Drafti i plotë


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *