Vendosni fjalën kyçe....

Basha vijon replikat e kundër-replikat me Ramën: Je një dështim i madh, ne do ta shërojmë Shqipërinë


Vijojnë replikat dhe kundër-replikat mes kryeministrit Edi Rama dhe kryedemokratit Lulzim Basha në “Twitter”, lidhur me pandeminë.

Basha i është përgjigjur kryeministrit Rama, i cili tha më herët se kjo opozitë “nuk i duhet as dreqit”, duke thënë se shëndetësia është në kolaps.

Kryedemokrati i drejtohet kryeministrit, duke i thënë se po ta kishte dëgjuar që para 6 muajsh tani do të kishte një plan real kundër pandemisë.

Sipas Bashës, të sëmurët nuk kanë para për të blerë ilaçet dhe premton se do ta shërojë Shqipërinë kur ai të vijë në pushtet.

 “Rama je një dështim i madh. Sa shqiptarë duhet të vdesin që të ndalësh sulmet politike dhe përpjekjet për të na mbyllur gojën? Po të më kishe dëgjuar që para 6 muajsh, do t’ju kishe dhënë ndihmë financiare familjeve shqiptare dhe sot do të kishe një plan real kundër pandemisë. Askush nuk e përtyp propagandën tënde fallso. Shëndetësia është në kolaps, të sëmurët nuk kanë pará për të blerë barnat e shtrenjtuara dhe ekonomia është në krizë. Ne do ta shërojmë Shqipërinë, do t’i korrigjojmë dështimet e tua dhe do të sjellim shpresë të re për njerëzit”, shkruan Basha.

Pasi kryedemokrati e kishte kritikuar për pandeminë, Rama thoshte se një opozitë që nuk bashkohet as në një kohë si kjo, nuk i duhet as dreqit.

“Një opozitë që as në një sëmundje që bie një herë në shekull nuk gjen dot forcë të bëhet bashkë me shumicën nuk i duhet as dreqit e jo më popullit shqiptar!”– shkruante Rama.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *