Presidenti Meta ritheksoi sot se 25 prilli 2021 do jetë një referendum mbarëkombëtar për të kthyer Kushtetueshmërinë në vend.
Gjatë konferencës për shtyp me gazetarët, kreu i shtetit tha se ditën e zgjedhjeve shqiptarët do vendosin për rrëzimin e sistemit oligarkik që kërkon t’i kthejë qytetarët në njerëz pa vlerë.
“Populli i 2 marsit aty është, por është shumëfishuar. I ftoj edhe oligarkët që mos paguajnë kot sepse do zhgënjehen se nuk do ketë vazhdimësi të praktikave korruptive e klienteliste.
25 prilli do jetë një referendum mbarëkombëtar për të rrëzuar këtë sistem oligarkik që kërkon t’i kthejë qytetarët në persona pa vlerë, vetëm e vetëm që të fryhen si shushunja disa individë. Mbi Kushtetutën qëndron vetëm populli.” – tha ndër të tjera Meta.
Presidenti tha më tej se kreu i opozitës ka qenë model në situatën në të cilën ndodhet vendi ndërsa shtoi se opozita ka qenë pesë hapa para qeverisë për sa i përket pandemisë.
“Si mund të akuzohet zoti Basha kur ka qenë modeli në këtë situatë, i sjelljes shembullore për ruajtjen gjatë pandemisë. Mirë unë mund të akuzohesha deri tani. Ai ka qenë shumë bashkëpunues që kur ka filluar pandemia. Ai dhe opozita kanë qenë 5 hapa para qeverisë sa i përket pandemisë. Ata kanë kusuret e tyre që largohen nga parlamenti, por në sjelljen e tyre për pandeminë janë ekselentë, janë të përgjegjshëm.” – shtoi Meta.