Italia ishte ndër vendet më të prekura nga pandemia Covid-19 pas mbërritjes së saj nga Kina në Europë. Vendi apenin ishte po kështu ndër ata që zbatoi karantinën më të ashpër pr të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Pas një lehtësimi në muajt e verës, qeveria italiane ka rikthyer e shtrënguar një pjesë masash duke qenë se raporton zyrtarisht numër të lartë të prekurish e viktimash, edhe pse duhet thënë se kësaj here ka pasur jo pak kundërshti e protesta kundër këtyre masave.
Një ditë më parë, kryeministri italian, publikoi letrën e një 5-vjeçari, i cili i shkruante atij lidhur me pandeminë.
Ndër të tjera, i mituri i cili për nga mënyra e shprehjes duket sikur është rritur para kohe pohon se në familje dhe shkollë zbatohen të gjitha rregullat dhe dispozitat e qeverisë, si higjienizimi i mjedisit, mbajtja e distancës sociale dhe maska për të rriturit.
Në fund të letrës, i mituri i kërkon kryeministrit italian Conte që t’i thotë Babagjyshit të Vitit të Ri që të mbajë maskë për t’u mbrojtur nga koronavirusi dhe i premton se nën pemën e Krishtlindjeve, ai do vërë edhe dezinfektantin.
Conte i kthen përgjigje kësaj letre duke shkruar gjerë e gjatë. Megjithatë ajo që ka rënë në sy është reagimi i personave në statusin e Contes.
Një pjesë e tyre shkruajnë se letra e 5-vjeçarit duket si letra e një punonjësi administrate që raporton të shefi për masat që po zbaton lidhur me pandeminë.
Të tjerë vënë në dyshim autorësinë e letrës duke shkruar se një 5-vjeçar nuk do shkruante në këtë mënyrë përveç në rast se ëshë rritur para kohe.
Të tjerë komentues shkruajnë se fëmijet e kësaj moshe nuk dinë të shkruajnë, për më tepër t’i rendisin fjalitë siç shkruhet në letrën e publikuar. Ndërsa të tjerë e kritikojnë kryeministrin italian për propagandë të dështuar.
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani