Profesori i njohur Kastriot Islami është prangosur nga policia mbrëmjen e sotme. Ngjarja ka ndodhur në kodrat e Liqenit Artificial ku ish-deputeti i PS-së e PD-së, ka qenë duke ecur.
Fillimisht ai është përballur me efektivët e patrullës së përgjithshme të cilët e kanë pyetur pse nuk mbante maskë. Mes palëve ka pasur një debat verbal dhe më pas policët i kanë kërkuar profesorit kartën e identitetit, por ky i fundit nuk e dispononte duke qenë se kishte dalë për shëtitje.
Kjo ka bërë që ish-deputeti Islami të shoqërohet në polici për verifikimet e duhura e pas kësaj është lënë i lirë siç e pohon vetë ai.
Pas ndalimit të profesor Islamit, ka pasur reagime të shumta në rrjetet sociale të ish-deputetëve të PD-së, gazetarëve e qytetarëve që kanë mbështetur ish-deputetin dhe janë solidarizuar me të.
“Jam në shtëpi…! Si çdo ditë, po bëja ecjen e përditshme me veshje sportive nga parku i Tiranës në drejtim të shtëpisë…Gjykoj se ishte Edi Rama që më ndaloi dhe forcërisht më izoloi në komisariat për rreth 1 orë e 30 minuta…Sepse ju prezantova që jam Kastriot Islami dhe përsëri përdorën forcën ndaj një profesori dhe një figure publike… ! Më shume ndoshta do të sqaroj në vijim…Falënderoj të gjithë ata miq që më mbështetën me telefonata dhe mesazhe.” – shkruan profesori në Facebook pas lirimit.