Në seancën e sotme plenare ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ishte i thirrur në një interpelancë nga një grup deputetësh opozitarë.
Interpelanca zhvillohet mbi rezultatet të luftës ndaj trafikut të narkotikëve dhe vrasjeve e grabitjeve.
Deputeti Korab Lita, pasi renditi arsyet e interpelancës parashtroi disa pyetje për ministrin ndërsa hodhi akuza se Shqipëria është shndërruar në një Lazarat.
“Pavarësisht se Qeveria e rilindjes nuk e pranon faktet janë shumë të forta. Qeveria shqiptare po e shfrytëzon më së miri pandeminë për të fshehur problemet e tjera. Sado e rëndë të jetë pandemia është detyra e Qeverisë të mos heqë vëmendjen nga problemet e tjera.
Deri para pak vitet ishte Lazarati problemi i madh në vend.
Menjëherë pas ardhjes së kësaj mazhorancë në pushtet u organizua operacioni i madh kundër trafikimit të lëndëve narkotike, një luftë e cila rezultoi me një dëshmor që dha jetën, një oficer i policisë i rënë në krye të detyrës. Por duke parë se ç’ndodhi më pas me trafikimin e lëndëve narkotike ndonjëherë mendoj nëse ia vlejti kjo dhënie jetëm ndërkohë që Shqipëria u shndërrua në një Lazarat në të gjithë territorin”, tha Lita.
Ministri Lleshaj iu përgjigj deputetit, duke thënë se nivelet e prodhimi i kanabisit në Shqipëri kanë rënë në nivele historike.
Ai ka renditur disa parametra dhe shifra që sipas tij, paraqesin pasqyrën e kriminalitetit në vendin tonë.
“Interpelencat urgjente me ministrin e Brendshëm duhen parë pozitivisht. Para një muaji duke folur në kushtet e urgjencës për temën e sigurisë në vend kam thënë se na duhet mbështetja e politikës ndaj policisë mbi krimin. Niveli i rendit dhe sigurisë publike në Shqipëri është në parametrat më të mirë historike të regjistruar në tre dekadat e fundit.“– tha ai.
Lleshaj shtoi se vrasjet kanë pësuar ulje që prej vitit 2013 ku në 2020, niveli i tyre për 100 mijë banorë është 1.7 në krahasim me vende të tjera të BE-së që e kanë 1.2.
“Në vitin 2019 janë regjistruar 58 vrasje dhe 44 në 2020. Niveli i vrasjeve për 100 mijë banorë është 1.7 nga 1.2 që është në BE. Krimi i armëmbajtjes pa leje ka pësuar rënie. Sa i përket çështjeve të sigurisë rrugore janë parë përmirësime. Në vitin 2020 kemi një ulje të madhe të viktimave të aksidenteve rrugore. Task forca merret me hetimin e krimit të organizuar ndërsa OFL merret me pasuritë. Në vitin 2020 janë goditur 30 grupe kriminale. Kemi bërë të mundur arrestimin e personave të grupeve famëkeqe kriminale” – tha Lleshaj.
Ministri vijoi dhe me punën e bërë nga OFL për të cilën tha se deri më tani janë referuar 1881 pasuri të nxjerra nga krimi.