Vendosni fjalën kyçe....

Eurodeputetët ngrenë alarmin për blerjen e votës në Shqipëri, i “kërkojnë llogari” Borrell-it


Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, eurodeputeti David Lega, ka ngritur shqetësimin e shitblerjes së votës në Shqipëri.

Ai bashkë me dy eurodeputetë të tjerë, pjesë e PPE-së (Partitë Popullore Europiane), i janë drejtuar me disa pyetje shefit të Politikës së Jashtme në BE, Borrell.

Në letër ata theksojnë se blerja e votës në Shqipëri është një problem serioz, gjë që është aportuar nga vëzhguesit ndërkombëtarë duke përmendur si raste specifike zgjedhjet në Shijak e Dibër, pjesë e dosjeve 339 e 184.

Ai thekson se në publikimet mediatike kanë dalë si të përfshirë ministra të qeverisë Rama, kryebashkiakë socialistë e deputetë të PS-së.

Po kështu në letër shkruhet më tej se krimet e pretenduara zgjedhore nuk janë ndëshkuar madje kjo gjë ka sjellë edhe ngritjen në detyrë të personave të përfshirë.

Eurodeputetë Lega (Suedi), Gahler (Gjermani) e Mandl (Austri) shkruajnë më tej në letrën drejtuar Borrell-it se janë të zhgënjyer pasi në raportin e Komisionit Europian 2020 nuk përmendet fare çështja e blerje së votës duke kërkuar shpjegime lidhur me këtë çështje.

“Vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve kanë raportuar vazhdimisht për problemet me blerjen e votave në Shqipëri. Veçanërisht rastet e Dosjes 339 (Shijak) dhe Dosjes 184 (Dibër) janë publikuar në mediat ndërkombëtare, ku zyrtarë të lartë të partisë (ministra, kryebashkiakë e deputetë) dyshohet të jenë të përfshirë në ndikimin e paligjshëm në zgjedhje.

Fatkeqësisht, krimet e pretenduara ende nuk janë ndëshkuar përkundrazi kanë sjellë edhe ngitjen në detyrë të personave të përfshirë. Meqenëse çështjet e lartpërmendura nuk kanë arritur në gjykatë dhe për to nuk ka ende një arrestim, ne jemi shumë të shqetësuar për shkeljen e angazhimit të Shqipërisë për sundimin e ligjit.

Jemi të zhgënjyer pasi në raportin e Komisionit Europian 2020 nuk përmendet fare ‘blerja e votës’. A e ka adresuar Komisioni si duhet çështjen e blerjes së votës në Shqipëri? Nëse po, ju lutem përshkruani detajet e progresit të kësaj çështjeje. Nëse jo, ju lutem shpjegoni pse kjo çështje nuk është përmendur në raportin progresin e 2020-tës.” – thuhet ndër të tjera në letrën drejtuar shefit të Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *