Kreu i qeverisë Edi Rama dhe kundërshtari i tij politik, kreu i opozitës, Lulzim Basha, kanë qenë në kohën kryesore televizive në një përballje kokë më kokë paralelisht ku tema kryesore ka qenë debati për çështjen e “shtëpisë se verdhë” dhe masakrës së Krushes.
Basha nga ana e tij ka mohuar akuzat duke theksuar se nuk ka marrë në dorë kasetën me dëshmi vizuale për masakrën e Krushes dhe rolin e tij në “shtëpinë e verdhë”.
Për këto akuza Basha shtoi se janë të sajuara dhe bëhen sa herë është fushatë parazgjedhore.
“Kaseta e masakrës së Krushës së Madhe sipas vetë dëshmive të tij, është marr nga Dashamir Peza, (apo BBC), në atë kohë si përkthyes i BBC, fakt që unë e kam mësuar përmes deklarimit të tij.
Për kasetën besoj që e morën përgjigjen të gjithë shqiptarët, që ishte një fabrikim. Absolutisht nuk ndjehem as i dëmtuar as i kërcënuar nga hera e tretë në 15 vite që përsëriten të njëjtat akuza.
Janë sajesa absolute dhe ju këtu në këtë studio I jeni përgjigjur të gjitha atyre akuzave”- tha Basha.
Nga ana tjetër, Kryeministri Edi Rama i ka kërkuar Bashës që të bëjë transparencë dhe të japë sqarime për të gjitha akuzat që janë bërë ndaj tij si për shtëpinë e verdhë apo edhe për çështjen e kasetës për masakrën e Krushes.
“Kam kërkuar diçka të thjeshtë, dhe s’ka lidhje me fushatën, as me zgjedhjet, as përpjekje për të përdorur për një kauzë më të madhe se politika e ditës, ka lidhje se mendoj dhe besoj që kreu i PD i cili udhëheq një parti që pretendon të qeverisë vendin një ditë, na detyrohet një shpjegim nga A-ZH për rolin e tij. Unë s’jam i dëshiruar që çfarë thuhet për të të jetë e vërtetë, as po kërkoj të shfrytëzoj rastin për ta anatemuar Bashën si tradhtar. Që i kam vuajtur vetë në kurrizin tim, por kurrë nuk i kam përdorur vetë. Nuk është çështja për tradhti por transparencë. Një drejtues, një përfaqësues i një familje të thjeshtë siç është familja e gjithësecilit një ndërmarrje, i një skuadre sporti, lere më partie politike duhet të marrë qëndrim dhe të mbajë qëndrim”-deklaroi Rama.