Vendosni fjalën kyçe....

Basha këmbëngul që qeveria po fsheh numrin e viktimave nga Covidi: Kemi detyrë të shpërndajmë të vërtetën


Pavarësisht reagimit të grupit të mjekëve si dhe të kryeministrit Edi Rama, kreu i opozitës Lulzim Basha këmbëngul në qëndrimin e tij lidhur me numrin e viktimave nga koronavirusi.

Ai ka publikuar një video të shkurtër nga momenti kur denoncon duke publikuar të dhënat që pretendon se i ka marrë nga morgu në Tiranë, mbi vdekjet e pacientëve me Covid. Kryedemokrati thotë se opozita ka për detyrë të shpërndajë të vërtetën.

“Edi Rama po gënjen dhe po fsheh numrin e viktimave të COVID-19 në Shqipëri. Ne kemi detyrën të shpërndajmë të vërtetën në emër të jetëve të humbura.”– shkruan Basha.

Ndërsa ishte i ftuar në emisionin “Opinion”, Basha publikoi mbrëmë disa të dhëna të përpiluara në një tabelë (që thoshte se i kishte marrë nga morgu), të cilat sugjeronin se vdekjet nga Covid-19 janë 414 më shumë se ato të publikuara nga autoritetet deri në fund të muajit tetor.

Basha tha se nga Marsi deri në fund të Tetorit, në spitalet Covid, kanë humbur jetën 923 persona, ndërsa janë raportuar vetëm 509.

Lidhur me këtë, pati një reagim të ashpër nga një grup mjekësh me në krye shefen e Infektivit Najada Çomo. Ndërsa kryeministri Edi Rama tha se Basha kaloi çdo cak politik dhe tha se nesër do jepte një mesazh për gjithë shqiptarët lidhur me këtë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *