Presidenti i vendit Ilir Meta, ka thirrur mesditën e sotme në një diskutim online mjekë dhe ekspertë të Shëndetësisë për të folur për situatën e Pandemisë.
Në këtë takim merr pjesë edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu, i cili foli për testet imumologjike dhe PCR.
Shehu tha se ka interesa financiare për të zëvendësuar testet PCR me testet imunologjike.
Por sipas tij testet imunologjike nuk mund të zëvendësojnë ato PCR. Ai thotë se duhet të vazhdojnë të dyja llojet e testeve.
“Nëse flasim për testimet e shpejta PCR unë jam dakord që të fillojnë edhe testimet e shpejta imunologjike, serologjike apo nga fyti, por mbi bazë imunologjike, por ato nuk mund të zëvendësojnë PCR. Testimet imunologjike duhet të vazhdojnë, por pa ulur PCR. Janë si dy binare që ecin dhe ndihmojnë njëra tjetrën. Por këtu ka interesa financiare nga ca kompani që duan të zëvendësojnë PCR me teste imunologjike”, tha ish-ministri dhe ish-deputeti i PD-së, Tritan Shehu.