Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi: Një vit pas tërmetit mijëra familje janë rrugëve, qeveria të mos e përdorë rindërtimin për propagandë


Kryetarja e LSI-së, Kryemadhi, ka shkruar sot se rindërtimi nuk duhet përdorur nga qeveria si program propagande.

Në një status të gjatë në Facebook, ajo kujton tërmetin e 26 nëntorit dhe pasojat fatale të tij.

Kryemadhi shkruan se falë solidaritetit të shqiptarëve me njëri-tjetrin dhe ndihma e miqve të huaj e ndihmoi vendin që të kapërcente pasojat e para të katastrofës.

“Një vit më parë, zemrat tona u ndanë më dysh prej tërmetit që tronditi themelet e Shqipërisë, duke rezultuar në humbjen e jetëve të 51 qytetarëve tanë. Solidariteti vëllazëror mes shqiptarëve dhe mbështetja e miqve të huaj na mundësoi të qëndronim në këmbë gjatë atyre momenteve shumë kritike pasigurie për familjet shqiptare, për ekonominë shqiptare, për biznesin dhe punonjësit.” – shkruan Kryemadhi.

Ajo shton më tej se tërmeti tregoi për të gjithë Shqipërinë që qëndronte përtej fasadës së rilindjes. Edhe pas një viti, shkruan ajo, mijëra familje kanë mbetur rrugëve, pa një strehë.

“Lëkundjet e tokës, treguan për të gjithë, Shqipërinë përtej fasadës së Rilindjes. Pas tyre, Shqipëria pati një përballje katastrofike me krizën që la pas tërmeti. Ende sot, 1 vit nga ngjarja tragjike, familjeve që i mbijetuan tërmeteve nuk iu është mundësuar një strehim i sigurtë por janë lënë në mes të rrugëve, pa zgjidhje. Ndërsa ekonomia dhe papunësia vazhdon përkeqësimin, shqiptarët vazhdojnë emigrimin.” – shton ajo.

Në fund të reagimit të saj, kryetarja e LSI-së, thekson se vendi ka nevojë për një qeveri që punon për të gjithë, jo vetëm për ata që janë të lidhur me të.

“Rindërtimi nuk duhet të përdoret nga qeveria si një program propagande. Krizat kërkojnë lidership të përgjegjshëm në drejtim, që nuk nxit probleme por zgjidh probleme. Ka nevojë për drejtues që të kenë ndjeshmëri ndaj qytetarëve dhe vizion bashkimi për zgjidhjen sa më të shpejtë dhe të plotë të krizave, të problemeve ekonomike dhe sociale që ato shkaktojnë. Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë për një qeveri që punon për të gjithë, jo vetëm për ata të lidhur me të.” – mbyll reagimin Kryemadhi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *