Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në Bulqizë, ku është vrarë me armë zjarri një 22-vjeçar.
Elidon Basha nga Fushë-Bulqiza ishte qëlluar me armë zjarri në shpatull dhe është dërguar fillimisht me urgjencë drejt spitalit Rajonal të Peshkopisë, por për shkak të gjendjes së rëndë është nisur drejt Tiranës, ku fatkeqësisht ka ndërruar jetë rrugës.
Policia thotë se ka shoqëruar mikun e tij, Klodian Kola, i cili dyshohet se e ka plagosur aksidentalisht pasi dyshja kishin dalë për gjah.
Njoftimi i Policisë
Dyshohet se e plagosi me armë gjahu aksidentalisht shokun e tij, i cili humbi jetën, shoqërohet në Polici 27-vjeçari.
Rreth orës 23:30 të mbrëmjes së djeshme, në një kodër të fshatit Fushë Bulqizë, shtetasi K. K., së bashku me shtetasin E. B., në rrugën Fushë Bulqizë – Kodër Dane, dyshohet se kanë qenë duke gjuajtur me armë gjahu çifte. Dyshohet se nga pakujdesia shtetasi K. K. ka plagosur shokun e vet, shtetasin E. B., 22 vjeç, i cili ka humbur jetën rrugës për në spitalin e Tiranës.
Menjëherë pas njoftimit të marrë u ngrit grupi hetimor për zbardhjen e ngjarjes. Falë veprimeve të para hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale arma e gjahut, një elektrik dore, motomjeti me të cilin këta shtetas kishin shkuar për gjueti dhe sende të tjera të vlefshme që do t’i shërbejnë zbardhjes së ngjarjes.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Bulqizë, shtetasin K. K., 27 vjeç, për veprime të mëtejshme hetimore. Nën drejtimin e Prokurorisë, strukturat hetimore të Drejtorisë vendore të Policisë Dibër vijojnë punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes./ Hashtag.al