Vendosni fjalën kyçe....

Denoncimi i PD-së: Fondet për shkollën në Thumanë u vodhën dy herë brenda vitit


Partia Demokratike ka bërë një denoncim të rëndë mbi vjedhjen e fondeve për Rindërtimin e një shkolle në Thumanë, e cila u shemb si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar.

Sekretari për çështjet ligjore në PD, Çlirim Gjata doli në një deklaratë për mediet, ku tha se fondet për shkollën “Ramazan Jongozi” janë vjedhur dy herë.

“Pak muaj para tërmetit të 26 nëntorit, shkolla u rikonstruktua. Për të u harxhuan 587 milion lekë nga taksat e qytetarëve. Pak javë më vonë, tërmeti nxorri në pah vjedhjen me shkollën. Tregoi se ne drejtohemi nga hiena që nuk duan t’ia dinë për sigurinë e fëmijëve, por duan vetëm të vjedhin në çdo kohë e në çdo vend, deri te shkollat dhe kopshtet e fëmijëve”, deklaroi Gjata.

Ai thotë se shkolla u rrafshua brenda natës nga fadromat, në mënyrë që të mos ngeleshin prova për abuzimin që ishte bërë.

Ndërkohë tani akuzon qeverinë se po vjedhin përsëri fondet për shkollën, duke zvarritur procedurat e lidhjes së kontratës me të paktën 3 muaj.

Deklarata e plotë e Gjatës

Për “Hajdutët e Fatkeqësisë” të udhëhequr nga Edi Rama, siguria e fëmijëve në shkolla nuk ka as më të voglën rëndësi. Shembull tipik i kësaj sjellje kriminale është shkolla “Ramazan Jangozi” në Thumanë.

Natën e 26 nëntorit të vitit të shkuar, Thumana përjetoi një tragjedi, në të cilën humbën jetën dhjetëra njerëz, fëmijë, nëna e baballarë. Kjo humbje e madhe për familjarët, por edhe për ne si bashkëqytetarë të Shqipërisë, erdhi për shkak të neglizhencës dhe shpërdorimit të fondeve nga qeveria dhe bashkia e Krujës.

Sigurisht që “Hajdutët e Fatkeqësive” nuk kanë lëvizur asnjë gisht për të bërë drejtësi për këtë ngjarje. Madje, ata janë angazhuar duke lëvizuar çdo gurë për të bërë të mundur zvarritjen e hetimeve.

E merrni dot me mend se çfarë tragjedie do të kish qenë nëse një tërmet i ngjashëm do të kishte rënë gjatë orëve të paradites, ku të gjithë fëmijët e shkollës “Ramazan Jangozi”, të gjendeshin në klasat e tyre?

Ne kemi qenë edhe më herët në këtë shkollë për të denoncuar neglizhencën, vjedhjen e fondeve dhe sjelljen kriminale të “Hajdutëve të Fatkeqësisë”, që i gjen kudo, si në qeveri, si në pushtetin lokal. Në fakt, ajo që ka ndodhur në këtë shkollë është përtej skandalit!

Pak muaj para tërmetit të 26 nëntorit, shkolla u rikonstruktua. Për të u harxhuan 587 milion lekë nga taksat e qytetarëve. Pak javë më vonë, tërmeti nxorri në pah vjedhjen me shkollën. Tregoi se ne drejtohemi nga hijena që nuk duan t’ia dinë për sigurinë e fëmijëve, por duan vetëm të vjedhin në çdo kohë e në çdo vend, deri te shkollat dhe kopshtet e fëmijëve.

Shkolla u rrafshua brenda natës nga fadromat, në mënyrë që nga vjedhja e fondeve dhe abuzimit skandaloz kriminal të mos ngelej gjurmë, duke zhdukur vjedhjen. Kështu, 587 milion lekë avulluan vetëm 3-muaj pas rikonstruksionit.

Pyetja që ngremë sot është:

Çfarë po ndodh sot me fondet e rindërtimit të kësaj shkolle simbol të korrupsionit dhe hajdutërisë së kësaj qeverie?

Fondet po vidhen sërish, sepse “Hajdutët e Fatkeqësisë” janë të pangopur. Ata kërkojnë që milionat të zhvaten sërish dhe rindërtimi i shpejtë i shkollës nuk është aspak prioritet i kësaj qeverie.

Që dikush të vjedhë disa miliona lekë, pushtetarët e sotëm në Tiranë dhe në Krujë bëjnë gjithçka munden, por veç për fëmijët që bëjnë kilometra të tërë për të shkuar në një shkollë tjetër, nuk mendojnë.

“Hajdutët e Fatkeqësisë” i kanë zvarritur procedurat e lidhjes së kontratës me të paktën 3 muaj, derisa kanë rënë dakord se si do ta ndajnë prenë e tyre në oborrin e një shkolle në tentativë, ku sot duhet të mësonin nxënësit.

Shkolla e Thumanës duhet të kishte përfunduar sot që flasim, por korrupsioni i “Hajdutëve të Fatkeqësisë” e ka penguar atë. Deri tani, është realizuar vetëm 30% i punimeve totale, duke dëshmuar se puna e vërtetë e kësaj qeverie është grabitja e qytetarëve edhe në kohën më të vështirë për ta. Nxënësit nuk janë prioritet i kësaj qeverie, tepsia PO!

Shumë shpejt, perdja do të bjerë dhe “Hajdutët e Fatkeqësisë” do të përgjigjen përpara ligjit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *