Riatdhesohen 112 shtetas shqiptarë nga Franca dhe nga Anglia. Siç bën me dije Policia e Shtetit, ata kishin tentuar për të kërkuar azil në vendet e BE-së apo në Mbretërinë e Bashkuar.
“Vijon bashkëpunimi me homologët, për evidentimin dhe riatdhesimin e shtetasve shqiptarë që kanë tentuar për të kërkuar azil në vendet e BE-së apo në Mbretërinë e Bashkuar.
Në vijim të operacioneve të riatdhesimit, gjatë dy javë të fundit, nga Franca dhe Anglia janë realizuar 4 operacione riatdhesimi të shtetasve shqiptarë, me 2 avionë të posaçëm nga Franca dhe 2 Anglia.
Në total janë riatdhesuar 112 shtetas që kishin kërkuar azil abuziv në këto vende.”– thotë policia.
Gjithashtu, policia thotë se ka evidentuar dy raste të atyre që i braktisin të miturit në shtetet e BE-së, me qëllim përfitimin e azilit.
Njëri rast në Rinas dhe një në Kakavijë. Policia ka proceduar penalisht dy persona përgjegjës për veprën penale “Braktisja e të miturve”.
Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve shqiptarë që udhëtojnë drejt hapësirës SCHENGEN, të mos tentojnë të kërkojnë azil “sepse është përpjekje e dështuar dhe do t’iu refuzohet menjëherë kërkesa, nëse kanë këtë qëllim”.