Vendosni fjalën kyçe....

Dita e Pavarësisë, mesazhet e urimit nga politika shqiptare


Krerët më të lartë të politikës shqiptare uruan ditën e sotme Pavarësinë e Shqipërisë e cila kulmoi më 28 nëntor 1912 me ngritjen e flamurit në Vlorë.

Presidenti i Republikës, ilir Meta, kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi zhvilluan ceremoninë zyrtare në Vlorë.

Kreu i Shtetit Ilir Meta, nëpërmjet një mesazhi në rrjetet sociale uroi pavarësinë duke bërë thirrje për përbashkim drejt aspiratës popullore të misionit të nisur që më 28 nëntor 1912.

Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë!

Të punojmë dhe angazhohemi çdo ditë për ta mbrojtur simbolin tonë të shenjtë dhe përbashkues, të valvitet krenar në këto troje, i pastër dhe i paprekur, njësoj si gjaku i derdhur për të, nga bijat e bijtë më të mirë të kombit.

108 vite janë mjaftueshëm për të dëshmuar pjekurinë dhe seriozitetin e një shteti modern, për përmbushjen pa vonesë të aspiratës popullore dhe misionit të nisur në 28 nëntor 1912, nga Ismail Bej Vlora dhe gjithë etërit e Pavarësisë, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa.

Urime për 28 Nëntorin e Gjergj Kastrioti Skënderbeut, Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit!

Zoti e bekoftë Flamurin Kombëtar dhe shqiptarët kudo ndodhen!”-shkroi Meta në rrjetet sociale.

Ndërsa kryeministri zgjodhi një foto dhe një citat të Ismail Qemalit për të uruar festën e Pavarësisë.

Ai ka postuar në Facebook një foto të Ismail Qemalit me mbishkrimin “Flamuri i ynë, n’atdhenë t’onë të lirë. Rroftë flamuri! Rroftë Shqipëria“.

Nëpërmjet një video-mesazhi kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cii ndodhej në Varrezat e Dëshmorëve kujtoi Ditën e Pavarësisë dhe uroi të gjithë shqiptarët për këtë ditë të madhe për kombin shqiptar.

Sot në Ditën e Pavarësisë dhe Festës së Flamurit dua t’iu uroj gjithë qytetarëve dhe bashkëkombasve të mi kudo ku janë gëzuar festën më madhështore të kombit tonë. Sot kujtojmë me nderim dhe përkulemi me nderim përpara veprës dhe sakrificës të të gjithë bijve dhe bijave të kombit tonë që sakrifikuan gjithçka në altarin e lirisë dhe pavarësisë kombëtare.

Sot është një ditë feste dhe gëzimi; ajo na gjen ndryshe nga çdo vit tjetër. Shqipëria dhe shqiptarët po përballen me sfidën e tejkalimit të pandemisë e cila na ka marrë qindra bashkëqytetarë duke lënduar shumë familje ndërkohë që mijëra të tjerë po vuajnë pasojat shëndetësore dhe shumë më shumë pasojat ekonomike dhe sociale të pandemisë.

Në këto kushte kjo ditë dhe kjo festë është një kujtesë e fuqisë dhe forcës së kombit tonë. Unë jam bindur në fuqinë dhe forcën e qytetarëve shqiptarë, në fuqinë dhe forcën tuaj për të qenë së bashku dhe për të tejkaluar së bashku pasojat e kësaj krize dhe pandemie dhe për të dalë më të fortë, më të bashkuar dhe më të vendosur.

Jam i bindur se 28 nëntori tjetër do të na gjejë me një Shqipëri më të shëndetshme, më të mirë dhe më afër Europës. Ju uroj nga zemra ditën e Pavarësisë, gëzuar Ditën e Flamurit!”

Kryetarja e LSI-së zgjodhi që urimin ta bëjë nga varri i Ismail Qemalit në Vlorë ku dhe vendosi kurora.

Do të dëshiroja që të falenderoja të gjithë popullin vlonjat për shkak të mikpritjes që i bëri Ismail Qemalit dhe firmëtarët e tjerë. ne sot në emër të LSI-së kemi vendosur një kurorë në nderim të kësaj ngjarje. Duam të kujtojmë dhe njëherë që bashkimi i gjithë shqiptarëve do të thotë bashkim vlerash, idesh, solidaritet më njëri – tjetrin sidomos në këtë vit të mbrapshtë. Sot më shumë se kurrë kjo ditë ka simbolikën e saj jo vetëm për sa i përket identitetit tonë kombëtar, por sot më shumë se kurrë kjo ditë duhet të na ndërgjegjësojë të gjithëve për të ndaluar njëherë e përgjithmonë këtë shpopullim të mbrapshtë që ka nisur në Shqipëri, ku me qindra e mijëra të rinj e të reja po largohen nga Shqipëria. Detyra e të gjithë politikanëve pa dallim të flamujve të tyre politikë, vetëm në një flamur “Kuq e zi”, t’u bëjmë thirrje të gjithë vajzave dhe djemve tanë, kudo që janë në të gjithë botën, të kthehen në Shqipëri. Sot Vlora është shtëpia e të gjithë shqiptarëve në këtë ditë flamuri, në këtë ditë të mrekullueshme, si 108 vite më parë, që të gjithë mendjet e ndritura të Shqipërisë u kthyen për të përballuar atë evazion të së keqes në Shqipëri, sot më shumë se kurrë edhe ne duhet të bëhemi të gjithë bashkë, për të përballuar këtë evazion të shpopullimit dhe këtë mbytje të varfërisë dhe të mungesës së shpresës, me bashkimin të gjithë bashkë, për t’i dhënë shqiptarëve mundësinë që ta bëjmë Shqipërinë shtëpinë e shqiptarëve. Ju faleminderit, gëzuar festat, mbarësi të gjithëve. Zoti ju bekoftë ju dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë!”-deklaroi kryetarja e LSI-së.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *