Kompania që qëndron pas tubacionit të gazit Nord Stream 2 ka njoftuar planet për të rifilluar punimet e tubacioneve në Detin Baltik në dhjetor pas një pushimi një vjeçar.
“Ne jemi duke planifikuar të rifillojmë punën e vendosjes së tubave duke përdorur një anije të pozicionuar në zonën ekskluzive ekonomike të Gjermanisë këtë vit.” – konfirmoi operatori i projektit për mediat ruse.
Kompania nuk zbuloi emrin e anijes që do të përdorë, por premtoi ta shpallte atë më vonë.
Dy anije me flamur rus – Akademik Cherskiy dhe Fortuna – mund të jenë kandidatët kryesorë për këtë punë. E para konsiderohej anija e vetme për të përmbushur të gjitha kërkesat e nevojshme teknike për të përfunduar ndërtimin e tubacionit.
Sipas të dhënave të trafikut detar gjerman, anija ruse Akademik Cherskiy u nis nga porti gjerman i Mukran të enjten dhe aktualisht është nën statusin e ‘manovrimit të kufizuar’ në Detin Baltik pranë brigjeve të rajonit të Kaliningradit të Rusisë.
Ndërkohë, Fortuna u pa në ujërat gjermane pranë Portit Wismar.