Mjekët dhe infermierët në Itali janë mahnitur me qëndrueshmërinë e Maria Orsingher, një 101-vjeçare që ka jetuar gjatë gripit spanjoll, Luftës së Dytë Botërore dhe e cila tani i ka mbijetuar Covid-19 plot tre herë.
Orsingher së pari doli pozitive në ditët e para të pandemisë në muajin shkurt.
“Në shkurt, nëna u shtrua në spital në Sondalo dhe më pas gjithashtu mjekja e spitalit në Sondalo, ku ajo u kurua, na tha se ajo kurrë nuk kishte pasur një person kaq të moshuar të mbijetonte nga koronavirusi në këtë mënyrë.” – thotë vajza Carla.
Pasi ishte shëruar, njëqindvjeçarja festoi atëherë ditëlindjen e saj të 101-të në korrik.
Për fat të keq, ajo më pas u shtrua në spital me ethe në shtator, ku doli sërish pozitive për sëmundjen për herë të dytë dhe iu nënshtrua trajtimit për 18 ditë.
Stafi mjekësor ishte i habitur me qëndrueshmërinë e saj dhe i tha medias lokale se shtrimi në spital ishte kryesisht paraprak.
Mjerisht, koronavirusi erdhi për të edhe një herë, pasi ajo doli përsëri pozitive të premten e kaluar edhe pse është asimptomatike.