Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Lezhë, ku një punonjës policie është ekzekutuar me armë zjarri.
Ai është identifikuar si 26-vjeçari Xhuljo Prela, punonjës Policie i FNSH Shkodër.
Trupi i pajetë i tij u gjet në aksin rrugor Milot-Lezhë, në Gajush. Policia u telefonua fillimisht se mjeti i tij kishte humbur kontrollin e për pasojë ka dalë nga rruga.
“Më datë 05.12.2020, rreth orës 02:20, në Sallën Operative të DVP Lezhë ka ardhur një telefonatë se në aksin rrugor Milot-Lezhë, në Gajush, një automjet ka humb kontrollin dhe ka dalë nga rruga.
Menjëherë kanë shkuar shërbimet e Policisë ku kanë konstatuar në mjetin tip “Volkwagen” shtetasin Xh.P., 26 vjeç, punonjës Policie i FNSH Shkodër, i cili kishte humbur jetën.”– ka njoftuar policia.
I riu punonte tek FNSH dhe kishte nisur studimet Bacelor tek Akademia e Sigurisë për të marrë gradën oficer.
Televizioni “News 24” raporton se Prela ka qenë duke u kthyer nga Rinasi ku kishte përcjellë një të afërm.
Ai ishte vetëm në makinë në momentin që udhëtonte në autostradën Milot – Lezhë, kur është qëlluar nga distanca.
Ndaj tij është qëlluar tre herë, por njëri nga plumbat i ka prekur një nga arteriet kryesore duke i shkaktuar edhe vdekjen e menjëhershme.
Pasi është qëlluar i riu ka humbur edhe drejtimin e mjetit. Mjeti i tij ka përshkuar edhe 500 mdetra rrugë e më pas ka përfunduar në një kanal./Hashtag.al