Poetja dhe pedagogia Mimoza Ahmeti është revoltuar gjatë një interviste, pasi gazetarja i ndërpreu fjalën për të kaluar në reklama.
Ahmeti ishte e ftuar në programin “Pasdite e Kuqe” në RTSH me gazetaren Gerta Gixhari për të folur për librin e saj. Por kur Gixhari i tha se ishte koha e tranmetimit të reklamave, poetja u irritua.
“Po ç’ështe kjo ftesë moj më qafsh, pash Zotin, ç’a janë këto emisione? Drejtpërdrejt je?! A më fal, të kërkoj ndjesë, por nuk ftohet një personalitet për t’i prerë fjalën se erdhi reklama apo erdhi tjetra”, tha ajo.
Gazetarja i përgjigjet poetes qetësisht se ky është mendimi i saj, ndërsa më vonë bëri një postim në rrjetet sociale ku shprehej se Ahmeti ishte mëse e informuar se ndodhej në transmetim live dhe se i dinte po ashtu edhe rregullat e një tranmetimi televiziv. Ku përfshihen edhe reklamat.
“Mimoza e dinte shumë mirë që ishim ‘Live’. Mimoza është pjesë e stafit të programacionit në RTSH dhe ajo e di mjaft mirë se si funksionon një transmetim televiziv.”– shkruan Gixhari.