Vendosni fjalën kyçe....

Rumania mban zgjedhjet parlamentare


Qytetarët në Rumani i janë drejtuar qendrave të votimit për të votuar për zgjedhjet parlamentare, në të cilat pritet të përcaktohet nëse liberalët pro-evropianë do të vazhdojnë të qëndrojnë në pushtet.

Votuesit po zgjedhin pjesëtarët e rinj të parlamentit, një vit pasi që qeveria e minorancës e udhëhequr nga Partia Kombëtare Liberale, mori pushtetit pasi ra kabineti qeverisës i Partisë Social Demokrate.

Liberalët, të udhëhequr nga kryeministri Ludovic Orban, sipas sondazhit të fundit, kishin 28 për qind të mbështetjes popullore, ndërkaq socialdemokratët kishin 23 për qind.

Përderisa vëzhguesit presin se do të ketë dalje të ulët në zgjedhjet – dalja vlerësohet se do të jetë 40 për qind – për shkak të koronavirusit, Orban u ka bërë thirrje rumunëve që të marrin pjesë në “zgjedhjet fundamentale”.

Duke folur pasi votoi, kryeministri rumun tha se nuk ka asnjë rrezik të infektimit me koronavirus në qendrat e votimit, nëse votuesit ndjekin rregullat e higjienës.

Presidenti rumun, Klaus Iohannis, një aleat i Orbanit, tha se është “jashtëzakonisht e rëndësishme” që njerëzit të marrin pjesë në këto zgjedhje.

“Kjo është një ditë historike për të zgjedhur një parlament më të mirë që do të merret me problemet e rumunëve dhe do të bëjë ligje më të mira për Rumaninë”, tha ai pasi votoi në Bukuresht.

Rumania, një prej shteteve më të varfra të Bashkimit Evropian, fillimisht nuk kishte pasur sukses në frenimin e përhapjes së pandemisë së koronavirusit. Por, qeveria e Orbanit më pas ndërmori masa, ku përfshihej edhe shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme për dy muaj, me qëllim që të ulej numri i infeksioneve. Por, këto masa ndikuan në ekonominë e vendit.

Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 19 milionë persona, të cilët do të zgjedhin 136 senatorë dhe 329 deputetë. Rreth 4 milionë rumunë që jetojnë në Evropën Perëndimore, tradicionalisht kanë votuar për socialdemokratët. Megjithatë ende është e paqartë se sa prej tyre do të marrin pjesë në këto zgjedhje, marrë parasysh kufizimet e vendosura për shkak të koronavirusit. Deri më tani, 40,000 anëtarë të diasporës janë regjistruar për të votuar përmes postës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *