Policia ka vënë në pranga një person, dy ditë pas grabitjes së një kambisti në Korçë.
Ngjarja ndodhi në lagjen nr. 18 rreth orës 08:25 të mëngjesit të së shtunës.
Sipas uniformave blu, dy persona vodhën me dhunë kambistin 34-vjeçar me inicialet A.R. Atij i morën çantën që mbante plot 1 milionë lekë kur sapo kishte dalë nga shtëpia dhe ishte nisur për në punë.
I arrestuari është identifikuar si shtetasi Ilia Temo, 31 vjeç, banues në Korçë. Ai rezulton me precedent të mëparshëm penal në fushën e veprave penale kundër rendit dhe sigurisë publike. Ai kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
DETAJET E POLICISË
Zbardhet ngjarja e ndodhur dy ditë më parë në lagjen nr. 18, Korçë, ku i vodhën me dhunë, pronarit të një pike exchange 1.000.000 lek.
Vihet në pranga njëri prej autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, i cili u kap nga Policia duke thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
I arrestuari, person me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.
Sekuestrohet veshja që dyshohet se ky shtetas përdori në ngjarje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, në vijim të punës intensive hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur më datë 05.12.2020, në lagjen nr. 18, të qytetit të Korçës, ku dy shtetas i vodhën me dhunë shtetasit A. R., 34 vjeç, një sasi prej 1.000.000 lek, bënë të mundur kapjen e njërit prej autorëve të dyshuar, konkretisht shtetasit I. T., 31 vjeç, banues në Korçë (person me precedent të mëparshëm penal në fushën e veprave penale kundër rendit dhe sigurisë publike).
Shtetasi i mësipërm, është kapur nga forcat e Policisë në një lokal në lagjen nr. 18, duke thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” të vendosur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me vendimin e datës 20.05.2020, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
Në cilësinë e provës materiale iu sekuestruan një celular, një palë tuta sportive dhe një xhup me kapuç, të cilat dyshohet të jenë përdorur nga autori ditën e ngjarjes.
Vijon puna për vënien përpara përgjegjësisë ligjore, të bashkëpunëtorëve të tjerë të tij dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje.
Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.