Vendosni fjalën kyçe....

Incineratori i Elbasanit hedh në gjyq gazetarin Artan Rama, i kërkon dëmshpërblim për prishje reputacioni


Kompania që ka marrë koncesionin e incineratorit të Elbasanit, ka hedhur në gjyq gazetarin Artan Rama. Bëhet fjalë për një shkrim të gazetarit të publikuar në datën 6 nëntor në portalin portavendore.al.

Rama cek në shkrimin, konfliktin gjyqësor mes ERE-s (Enti Rregullator i Energjisë) dhe kompanisë Albtek energy, e cila ka fituar në vitin 2014, koncesionin për ndërtimin e incineratorit të mbeturinave në Elbasan. Konflikti gjyqësor mes ERE-s e kompanisë ka të bëjë me licencimin e kompanisë për të prodhuar energji elektrike në impiant.

“Në përmbajtjen e artikullit që tanimë ka marrë shpërndarje të gjerë, bëhen pohjime paragjykuese, ngrihen vazhdimisht fakte dhe aludime duke përdorur terma si: prapaskena, abuzimi, problemi, larg vëmendjes publike, po merrte jetë, alibia që ngrihet, kleçka, ndërhyrja, po ‘digjen’ paratë tona etj., mbi procedurat e dy kontratave që “Albtek Energy” sh.p.k., ka lidhur me institucione të shtetit shqiptar në lidhje me incineratorin e Elbasanit. Liria e shprehjes nuk mund të mbrohet kur ajo cënon integritetin psikik, si dhe nderin, personalitetin dhe reputacionin e një personi tjetër, qofshin këta edhe persona juridikë.” – thuhet në aktpadinë e Albtek energy ndaj gazetarit Rama.

Kompania pretendon se shkrimi i gazetarit i ka prishur repucationin që gëzon dhe kërkon një dëmshpërblim prej 3 milionë lekësh të vjetra nga Rama.

Kompania Albtek energy është themeluar në korrik 2014, me pronare Stela Gugallja, ndërsa në dhjetor të të njëjtit vit fitoi pa garë, një kontratë me vlerë 21.6 milionë euro nga qeveria shqiptare për ndërtimin e incineratorit të Elbasanit.

Mirel Mërtiri, një emër që është lakuar shumë kohët e fundit, i afërt me ish-ministrin e Financave e ministrin e tanishëm për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, është partner i Stela Gugalljas, pronares së incineratorit të Elbasanit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *