Policia e Skraparit ka vënë në pranga pesë persona, të cilët akuzohen se po transportonin lëndë narkotike.
Përmes një njoftimi për shtyp, uniformat blu bëjnë me dije se gjatë operacionit të koduar “Skrapari”, kanë ndaluar tre automjete me të cilët po udhëtonin pesë persona. Shoferi në njërin prej këtyre mjeteve ishte një djalë 18-vjeçar, i cili nuk kishte as leje drejtimi.
Policia ka zbuluar në automjete, rreth 2 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa si dhe 2 armë gjahu.
Detajet e Policisë
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, pas një hetimi disamujor, si rezultat i provave të grumbulluara, organizuan punën dhe finalizuan operacionin e koduar “Skrapari”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë 5 shtetas:
- G., 46 vjeç, A. Ç., 22 vjeç, B. G., 28 vjeç, E. H., 31 vjeç dhe Z. Q., 18 vjeç ( i cili drejtonte mjetin pa leje drejtimi).
Arrestimi i tyre i bë pasi u kapën në flagrancë në qytetin e Çorovodës, duke transportuar lëndë narkotike cannabis sativa, armë gjahu, armë të ftohta dhe municione luftarake, me tri automjete.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 2 kg lëndë narkotike cannabis sativa, 2 armë gjahu, fishekë, 2 thika, 3 automjete dhe 4 aparate celular.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, kryer në bashkëpunim.