Protesta e thirrur për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha, nga efektivi i forcave “Shqiponja” ditën e djeshme, e nisur prej orës 16:00 ka shpalosur edhe zemërim ndaj institucioneve ligjzbatuese.
Protesta u karakterizua nga tensione, ku protestuesit nuk kursyen sharjet por as gurët në drejtim të institucioneve dhe forcave të policisë.
Fillimisht protesta u organizua në Ministrinë e Brendshme ku dhe u kërkua dorëheqja e Sandër Lleshajt për ngjarjen e ndodhur.
Më pas turma u zhvendos te kryeministria ku dhe tensionet ishin më të mëdha. Përpara godinës, protestuesit goditën me sende të forta në drejtim të policisë, tentuan hyrjen në godinë duke sulmuar dyert.
Më pas u ndërhy nga forcat speciale, ku dhe ndaj të tillëve për disa minuta u qëllua me gurë. Pas një situate të tensionuar, ku dhe u dogj pema festive te Kryeministria dhe më pas u rrëzua. Këto tensione detyruan policinë të ndërhynte me gaz lotsjellës çka rezultoi me shpërndarjen e tubimit.
Por kjo nuk e ndali turmën që të zhvendosej sërish te Ministria e Brendshme. Me zhvendosjen të MB u tentua edhe thyerja e xhamave me sende të forta ndërsa në “sheshin Skënderbej” u dogj edhe pema festive si dhe u shkatërruan dekoret.
Gjatë kësaj proteste ndodhi edhe një episod spekulativ. Një protestuese gjatë një deklarate për mediat u prezantua si motra e Klodian Rashës, viktimë e plumbave të policisë, e cila edhe humbi ndjenjat gjatë demonstratës. Ky rast ka sjellë reagimin e familjarëve që siç pretendojnë mediat Shqiptarja.com dhe Top Channel, ajo nuk është motra e Klodian Rashës.
Pas hedhjes së gazit te Ministria e Brendshme, turma u zhvendos te Drejtoria e Policisë së Tiranës, ku dhe i kanë vënë zjarrin një koshi mbeturinash e cila shënoi edhe shpërndajen e shumicës së qytetarëve./Hashtag.al