Pas protestave që trazuan kryeqytetin për gati 5 orë, protesuesit e mbyllën mbrëmjen në banesën e të ndjerit Klodian Rasha, 25-vjeçarit që u vra nga një punonjës policie në lagjen e tij.
Babai i të riut foli para kamerave lidhur me ngjarjen dhe me protestat, duke bërë thirrje vetëm për një gjë: Drejtësi për djalin e tij.
Qazim Rasha tha që thirrjen e tij ja drejton shtetit, që fajtorin për vdekjen e të birit ta çojë në “vendin që meriton”.
Babai i 25-vjeçarit të ndjerë, tha që nuk i vjen mirë që tanimë është detyruar të japë intervista, duke theksuar se ai nuk i shërben asnjë lloj politike. Ai dha mesazhe të forta për qeveritarët, duke thënë që duhet t’i japin mbështetje qytetarëve dhe të rinjve, që ata ta ndërtojnë jetën në vend dhe të kenë shpresë e të ardhme këtu.
“Shteti të bëjë detyrën që i takon. Jemi popull, kërkojmë drejtësi. Kërkojmë atë që është për çdo njeri, qytetar, shqiptar, të ri, të moshuar, kërkojmë atë që secili të gëzojë të drejtën dhe të gjejë atë shpresën te shteti, te ligji, te rregulli, te ajo që është e mira për të gjithë, që t’i shërbejë qoftë fëmijës, të rriturit, të moshuarit, që të kemi shpresë, të kemi të ardhme, që rinia të shkëlqejë, që rinia të eci përpara, të shohë jetë të lumtur, të gëzojë një ditë të re. Të mendojë se vendi është ky, duhet ta ndërtojmë, ngremë, ta rrisim, ta mbështesim të gjithë.
Si puna e djalit tim jeni edhe ju të të gjithë, të gjithë mendoni si puna ime, kush është prind e di peshën pak më mirë. Nuk më vjen mirë me dhënë intervista, nuk i shërbej asnjë lloj politike, por familjes sime, ke familja jam i detyruar me i thënë këto për hir të fëmijës që sot e varrosa. Ashtu siç mendoj unë mendoni të gjithë.
Vlerësojeni, gjykojeni. Shteti të bëjë punën e vet, të japë drejtësi, fajtori të shkojë në vendin që meriton dhe ne të kemi një fije shpresë dhe mbështetje, dhe të mendojmë se kemi një të ardhme në vend dhe të rrisim fëmijët pa ndrojtje, apo frikë, që të mos ketë frikë të dalë te rruga dhe të kthehet dhe të vijë në këtë gjendje që erdhi i imi. Kjo mos i raftë askujt, nuk ia dëshiroj askujt, ishalla Shqipëria, dita që vjen dot ë bëhet më mirë”, ka thënë Qazim Rasha.
Ditën e djeshme, gjatë një interviste tjetër për mediet, babai i të ndjerit tha që kishte dëshmitarë që e kanë parë të birin duke u zënë me policin, i cili sipas tij e ka dhunuar.
“Ke dëshmitarë që e kanë parë skenën, duke u zënë me Policin, duke e gjurmuar dhe duke e rrahur aty në rrugë.”– shprehej zoti Rasha.
Vdekja e Klodian Rashës ka ngritur një mori njerëzish mbrëmjen e kaluar, të cilët kanë dalë të protestojnë përpara Ministrisë së Brendshme dhe para Kryeministrisë për të kërkuar drejtësi për rastin, ku nuk munguan përleshjet me policinë.