Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj shfrytëzon mesazhin e familjes Rasha për të politizuar protestën


Kryebashkiaku Erion Veliaj së bashku me deputetin Ulsi Manja gjatë vizitës në familjen Rasha

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ditën e stome është shfaqur në Kavajë si “kreu i Kadastrës” ku dha certifikatën e pronësisë për Xhaminë e zonës.

Por në fjalën e tij të mbajtur për të pranishmit të cilëve iu dorëzoi certifikatën, drejtuesi politik i PS-së për Kavajën nuk harroi të fliste për protestat që po zhvillohen në vend për shkak të vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv policie.

Veliaj shfrytëzoi mesazhin e familjes Rasha të cilën tha se e kishte vizituar më parë, të cilët sipas tij i kishin thënë që “duhet të ecet përpara me mirësi dhe jo me dhunë dhe vandalizëm”.

Veliaj gjithashtu nuk la pa përmendur se protestat e zhvilluara për vrasjen e 25-vjeçarit po shfrytëzohen nga politika e cila po përdor dhunën për kauza politike.

Sot kam pasur një ditë reflektimi, teksa kalova pak kohë me babanë fisnik të Klodian Rashës dhe familjen e tij dinjitoze, të cilët më dhanë një mesazh: Se duhet të punojmë dhe të ecim përpara me mirësi, jo me dhunë, jo më vandalizëm. Ka një kohë për shi, ka edhe një kohë për diell; ka një kohë për t’u rrëzuar, ka edhe një kohë për t’u ngritur; ka një kohë për të prishur, ka edhe një kohë për të ndërtuar. Shqipëria është vendi ynë, Tirana është vendi ynë, Kavaja është vendi ynë!

Nuk shkon ta prishim, as ta shkatërrojmë. Nxjerrja e dufit justifikohet deri në njëfarë mase. Por, kur politika hyn në mes drejtësia prishet, prishen parimet dhe harmonia në komunitet. Politizimi dhe përdorimi i dhunës për kauza politike nuk shkon. Ka kuptim për sa kohë kërkohet drejtësi dhe drejtësi do të ketë! Por, nuk ka mirëkuptim nëse dikush fut hundët e partisë në zemëratën legjitime që mund të kenë njerëzit”- tha Veliaj.

Nga mazhoranca, pas protestës së ditës së parë ka pasur një strategji të koordinuar për të lidhur dhunën dhe tensionet në protestat me opozitës që sipas tyre po e shfrytëzojnë për të marrë pushtetin.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *