Pak ditë pasi dha dorëheqjen nga posti i Ministrit të Brendhsë, Sandër Lleshaj flet për suksesin historik që beson se ka arritur dikasteri i drejtuar prej tij gjatë vitit 2020.
Lleshaj thotë se arsyet e këtij “suksesi historik” janë: vullneti i paepur politik, angazhimi i fortë policor dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.
Ky koment vjen pas konferencës së përbashkët mes Policisë Shqiptare dhe asaj Italiane.
“Ndarja e Shqipërisë nga kanabisi
Sot Italia konfirmoi një arritje të madhe të Shqipërisë. 2020-ta shënon vitin me minimumin e sasisë së kanabisit të trafikuar drejt Italisë nga Shqipëria: 37% më pak nga 2019.
Arsyet e këtij suksesi historik gjenden tek shumë faktorë, ku po veçoj:
1. Vullneti i paepur politik;
2. Angazhimi i fortë policor;
3. Bashkëpunimi ndërkombëtar, ku spikat ai me Italinë.
Operacioni i sotëm i SHÇBA-së dhe PSH në Vlorë, ku u shkatërrua një rrjet prej 41 personash, përfshirë edhe punonjës të Policisë, është vetëm një shembull që tregon se përse kemi arritur tek ky sukses që duhet të bëjë krenar të gjithë ata që kanë luftuar për këtë qëllim madhor.
Faleminderit Italisë për pjesëmarrjen në këtë luftë fitore të rëndësishme”- shkruan Lleshaj.
Gjatë Konferencës mes dy Policive, kreu i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, tha se në total për vitin 2020, nga monitorimet ajrore janë identifikuar e asgjësuar 58.423 bimë narkotike kanabis, ndërsa në vitin 2019 u identifikuan e asgjësuan 25.719 bimë ose 32.704 bimë më shumë. Po ashtu ai tha se në të njëjtin vit, sipas statistikave që vijnë nga Italia, kemi një rënie të trafikimit të kanabisit drejt shtetit fqinj me 37%.
Nga 1447 kilogramë e 982 gramë të kapura duke u trafikuar në Itali vitin e kaluar, në 2020-ën kjo shifër është 911 kilogramë e 500 gramë.