Vendosni fjalën kyçe....

Princ Harry dhe Meghan firmosin marrëveshjen me “Spotify”, tani do bëjnë dhe intervista në “podcast-e”


Duka dhe Dukesha e Sussex kanë nënshkruar një marrëveshje me “Spotify” për të prodhuar dhe moderuar video-intervista në podcast. Kështu përveç serialeve që do bënin me “Netflix”, ata tani do jenë edhe moderatorë të intervistave të realizuara online.

Fondacioni i princit Harry dhe dukeshës Meghan do të marrë një shumë të pazbuluar ende nga ky partneritet midis kompanisë së tyre të prodhimit, Archewell Audio dhe Spotify.

Siç shkruan BBC, Princi Harry dhe Meghan premtuan “perspektiva të ndryshme” dhe intervista me “njerëz të mahnitshëm”.

Kjo marrëveshje me “Spotify” vjen disa muaj pasi çifti këtë vit nënshkroi një marrëveshje me “Netflix” për të prodhuar një sërë programesh dhe serialesh.

Podcast-i i tyre i parë, që pritet të publikohet gjatë periudhës së Krishtlindjes, përshkruhet si një festë e veçantë.

Në trajlerin e tyre të parë, princi Harry thotë: “Kjo është ajo me të cilën ka të bëjë ky projekt, për të sjellë perspektiva dhe zëra të ndryshëm që mbase nuk i keni dëgjuar më parë dhe për të gjetur gjuhën tonë të përbashkët”.

Në lidhje me episodin e parë të podcastit, Meghan tha: “Ne po flasim me disa njerëz të mahnitshëm, ata do të ndajnë kujtimet e tyre që me të vërtetë kanë ndihmuar në formësimin e këtij viti të kaluar, i cili ka qenë, siç e dimë, një vit i vështirë për të gjithë.”

Princi Harry tha: “Shumë njerëz kanë pasur kaq shumë dhimbje këtë vit, kanë përjetuar humbje, një sasi të madhe pasigurie, por ndihet me vlerë të pranosh që 2020-ta na ka lidhur në mënyra që nuk mund t’i kishim imagjinuar kurrë, përmes akteve të pafund të dhembshurisë dhe mirësisë”.

Çifti tani jetojnë në Kaliforni pasi në janar vendosën të tërhiqeshin nga detyrat mbretërore.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *