Vendosni fjalën kyçe....

Ish-gruaja e Jeff Bezos jep për bamirësi mbi 4 miliardë dollarë brenda katër muajve


MacKenzie Scott, e cila është ish-gruaja e themeluesit të Amazon Jeff Bezos, ka dhuruar më shumë se 4 miliard dollarë për bankat e ushqimit dhe fondet e ndihmës emergjente në katër muaj.

Në një postim në blog, zonja Scott thotë se do të ndihmojë amerikanët që janë në vështirësi për shkak të pandemisë.

MacKenzie Scott është personi i 18-të më i pasur në botë, pasi pasuria e saj është rritur me 23,6 miliardë dollarë këtë vit duke arritur në 60,7 miliardë dollarë.

Siç shkruan BBC, pjesa më e madhe e pasurisë së saj vjen nga ish-bashkëshorti i saj Jeff Bezos i cili është njeriu më i pasur në botë dhe shefi ekzekutiv i ‘Amazon’.

“Kjo pandemi ka qenë shkatërruese në jetën e amerikanëve që tashmë janë në vështirësi.”- shkroi ajo në një post në blog të martën, duke zbuluar se kishte zgjedhur më shumë se 380 organizata bamirëse për të ndihmuar, pasi kishte konsideruar një listë me pothuajse 6,500 organizata.

“Humbjet ekonomike dhe problemet e shëndetit kanë qenë më të këqija për gratë, për njerëzit me ngjyrë dhe për njerëzit që jetojnë në varfëri. Ndërkohë, pandemia ka rritur ndjeshëm pasurinë e miliarderëve.”– thotë Scott.

Edhe në muajin korrik, MacKenzie Scott dhuroi 1.7 miliard dollarë për 116 organizata bamirësie duke thënë se ajo donte të tërhiqte vëmendjen për “organizatat dhe udhëheqësit që nxisin ndryshimin”. Kjo i çon donacionet e saj të përgjithshme për vitin në gati 6 miliard dollarë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *