Prokuroria e Tiranës e ka akuzuar për vrasje me dashje policin Nevaldo Hajdaraj i cili qëlloi për vdekje 25-vjeçarin Klodian Rasha rreth një javë më parë.
Fillimisht organi e akuzës e akuzoi efektivin për vrasje në kushtet e tejkalimit të vetëmbrojtjes. Prokuroria ka marrë kamerat e bizneseve përreth dhe sipas saj ka një pamje të plotë të asaj që ka ndodhur.
Mësohet se Hajdaraj e ka qëlluar Rashën nga pozicioni shtrirë por e ka shënjestruar në trup dhe jo drejt këmbëve siç është dëshmiar e efektivit.
“Kemi siguruar provën kryesore, pamjet filmike ku qartësohet momenti i goditjes me armë nga punonjësi i policisë. Filmimi i sekuestruar jep një tablo të qartë të vrasjes. Filmimi tregon se polici ka qëlluar nga një pozicion i shtrirë, drejt Klodian Rashës. Këndi i goditjes se Klodian Rashës, ka qenë në gjatësinë e trupit të viktimës.” – thekson prokuroria.
Me ndryshimin e akuzës, efektivi rrezikon deri në 20 vite burg nga 7 maksimumi që rrezikonte me akuzën e parë.
Rasha u qëllua për vdekje në orët e para të mëngjesit të 8 dhjetorit. Ai ka marrë dy plumba, një në shpatull dhe tjetri në kokë, por ky i fundit sipas akuzës ka qenë rikoshet.
Pas vrasjes së të riut, Tirana e qytete të tjera janë përfshirë nga protesta, gjatë të cilave janë lënduar dhjetëra efektivë e qytetarë.
Po kështu ka pasur qindra të ndaluar nga policia, një pjesë e të cilëve të mitur. Dy ditë pas ngjarjes së rëndë, ministri i Brendshëm, Lleshaj u dorëhoq ndërsa të rinjtë protestuesit kërkojnë edhe largimin e drejtorit të policisë, Ardi Veliu.