Vendosni fjalën kyçe....

“Kanë kaluar 3 vjet nga fillimi i ndjekjes penale” – Prokuroria merr vendimin për Dosjen 184


Prokuroria e Dibrës ka pushuar hetimet ndaj disa prej të akuzuarve pjesë e Dosjes 184 për zgjedhjet në Dibër.

Të pandehur janë marrë katër persona mes të cilëve ish-shefi i Komisariatit Dibër, Robert Aga. Tre të pandehurit e tjerë janë ish-zyrtarë të administratës.

Përkatësisht Drini Gjeci (ish-drejtor i Drejtorisë Arsimore Dibër), Hasan Hoti (ish-administrator i Lurës) e Nuri Meda (ish-administrator i lagjes Tomin, Peshkopi).

Për të pandehurit e tjerë, mes të cilëve edhe kryebashkiaku i Dibrës, Dionis Imeraj, prokuroria thotë se ka mbaruar afati 3-vjeçar që nga momenti i fillimit të ndjekjes penale e për këtë arsye nuk mund t’i çojë për ndjekje penale personat në fjalë.

Njoftimi i Prokurorisë së Dibrës

Mbi përfundimin e hetimeve për procedimin penal nr.385, të vitit 2019

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, mbi bazën e akteve të procedimit penal nr.184, të vitit 2016, të ardhura për kompetencë lëndore nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, ka regjistruar procedimin penal nr.385, të vitit 2019, për veprat penale ‘Shpërdorimi i detyrës’, ‘Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve’, ‘Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje’, parashikuar nga nenet 248, 328/1 dhe 329/3, të Kodit Penal, në ngarkim të shtetasve nën hetim Korab Lala, Robert Aga, Dionis Imeraj, Afrim Mikli, Drini Gjeci, Arben Keshi, Hasan Hoti, Bekim Krashi dhe Nuri Meda.

Në përfundim të hetimeve Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër ka konkluduar se:

Sa i përket veprës penale ‘Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve’, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328/1 dhe 25 të Kodit Penal, (në fuqi në vitin 2016), është provuar se kjo vepër është kryer nga shtetasit nën hetim 1-Korab Lala, (i njohur ndryshe edhe si Imer Lala), 2-Robert Aga, 3-Afrim Mikli, 4-Drini Gjeci, 5-Arben Keshi, 6-Hasan Hoti, 7-Bekim Krashi dhe 8-Nuri Meda, dhe përveç personave nën hetim edhe nga shtetasit 9-Fatbardh Lala, 10-Ylli Mikli dhe 11-Dik Spata, të cilët gjatë hetimit të këtij procedimi penal kanë patur statusin e të kallëzuarit.

Pavarsisht se nga hetimi është provuar tërësisht fakti i konsumimit të veprës penale ‘Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve’, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328/1 dhe 25 të Kodit Penal, (në fuqi në vitin 2016), nga personat e mësipërm, organi i prokurorisë ka vlerësuar se ndjekja penale nuk mund të vazhdojë për personat nën hetim dhe nuk mund të fillojë për personat me statusin e të kallëzuarit, pasi kundërvajtja penale e parashikuar nga neni 328/1 i Kodit Penal, (në fuqi në vitin 2016), është parashkruar, për faktin se nga momenti i kryerjes së veprës penale që është periudha shtator 2016, ka kaluar afati 3 vjeçar i ndjekjes penale.

Me këtë arsyetim, Prokuroria Dibër, me datë 18.12.2020, ka vendosur pushimin e pjesshëm të hetimeve ndaj personave nën hetim 1-Korab Lala, (i njohur ndryshe edhe si Imer Lala), 2-Robert Aga, 3-Afrim Mikli, 4-Drini Gjeci, 5-Arben Keshi, 6-Hasan Hoti, 7-Bekim Krashi dhe 8-Nuri Meda.

Gjithashtu Prokuroria Dibër, ka dërguar për gjykim si pjesë e këtij hetimi penal, shtetasit:

-Robert Aga, në atë kohë me detyrë Shef i komisariatit të Policisë Dibër, duke e akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘Shpërdorimi i detyrës’, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

-Drini Gjeci, në atë kohë me detyrë Drejtor i Drejtorisë Rajonale Arsimore Rajonale Dibër, për kryerjen e veprave penale ‘Shpërdorimi i detyrës’, dhe ‘Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve’ kryer më shumë se një herë, parashikuar nga nenet 248 dhe 329/3, të Kodit Penal.

-Hasan Hoti, në atë kohë me detyrë Administrator i njësisë Administrative Lurë, Dibër, për kryerjen e veprës penale ‘Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve’ kryer më shumë se një herë, parashikuar nga neni 329/3 i Kodit Penal.

-Nuri Meda, në atë kohë me detyrë Administrator i njësisë Administrative Tomin, Dibër, për kryerjen e veprës penale ‘Shpërdorimi i detyrës’, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *