Ish-kryeministri Berisha është takuar me presidenten në detyrë të Kosovës, Osmani me ftesë nga kjo e fundit.
Ai shkruan se e ka falënderuar kryetaren e Kuvendit të Kosovës për qëndrimet e saj të palëkundura në mbrojtje të integritetit territorial të vendi nga serbomëdhenjtë e Beogradit e argatët e tyre shqipfolës.
“Takim me Ushtruesen e Detyrës së Presidentes të Republikës së Kosovës, zonjën Vjosa Osmani! Të dashur miq, sot isha i ftuar për dreke nga Ushtruesja e Detyrës së Presidentes të Kosovës, zonja Vjosa Osmani, e cila gjendet në një vizitë zyrtare në Shqipëri. Gjate bisedës pata rastin t’i uroj zonjës Osmani suksese në detyrën e lartë të Ushtruese së Detyrës së Presidentes të Republikës së Kosovës në këtë moment të rëndësishëm që po kalon Kosova si dhe ta falënderoj me mirënjohje për qëndrimet e saj të palëkundura në mbrojtjen e integritetit territorial, sovranitetit të Kosovës nga serbomdhenjtë e Beogradit dhe argatët e tyre shqipfolës.” – shkruan Berisha në Facebook.
Më tej ish-kryeministri shton se dy vendet duhet të shtojnë bashkëpunimin në të gjitha fushat duke theksuar mbështetjen që duhet t’i japë Tirana-Prishtinës në bisedimet e saj me Beogradin.
“Gjatë takimit diskutuam gjerësisht mbi zhvillimet në Kosove dhe Shqipëri dhe nevojën për konsolidimin e mëtejshëm të pavarësisë, garantimit të sovranitetit dhe integritetit territorial, forcimit të demokracisë dhe hapave të saj për integrimin në institucionet ndërkombetare dhe BE. Me rëndësi të madhe është fuqizimi i pozicionit të Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë dhe mbështetja që duhet t’i japë Shqipëria dhe mbarë kombi shqiptar në këtë proces. Në takim theksova rëndësinë jetike të bashkëpunimit vëllazëror në të gjitha fushat midis dy shteteve tona dhe për projektet kryesore që mund të ndërmerren në kuadrin e këtij bashkëpunimi mes nesh por edhe rajonal. Takimi ishte vëllazëror dhe kaloi në frymën e mirëkuptimit të plotë.” – mbyll reagimin Berisha.