Glauk Olldashi, djali i ish-deputetit e ministrit të PD-së, Sokol Olldashi, i ndarë nga jeta tragjikisht pas një aksidenti rrugore ka rrëfyer rrugën e tij në hapat e të atit në politikë.
Në një intervistë për Euroneës Albania, ai ka theksuar se partitë e reja të themeluara nga ish-zyrtarë të PD-së janë parti inati e mllefi e se nuk do ndikojnë në rezultatin që do marrë PD-ja në zgjedhjet e 25 prillit 2021.
“Ata kanë bërë zgjedhjet e veta, nuk mund të gjykoj sepse unë jam djali i tyre në moshë. Ata të gjithë kanë bërë gjykimin e vet. Sa i përket ndikimit në zgjedhje, varet nga kandidaturat e PD. Nëse PD do ketë kandidatura shumë të mira, ndikimi i tyre do jetë zero. Janë parti inati, mllefi. Pra, votuesit e Jozefinës, Astritit janë votues që votojnë me mllef dhe nuk do të votonin PD nëse nuk do të ishin këto parti.” – tha Olldashi.
Ai komentoi edhe protestat e fundit në vend që shpërthyen pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv policie duke thënë se edhe pse mund mos jetë e hijshme djegia e koshave apo thyerja e xhamave por është edhe më e rëndë arrestimi i qindra fëmijëve.
“Unë i kam mbështetur me gjithë shpirt protestuesit dhe kam qenë plotësisht dakord me protestën. Mund të thotë dikush që kishte akte dhune, djegie koshash. Natyrisht që nuk është e hijshme, por edhe të arrestosh 400 fëmijë, të tërheqësh zvarrë 13-vjeçarë se thyen një xham, t’i gjuash me gaz. Protesta nuk ka qenë, politike ka qenë duf.” – shton Olldashi në intervistën e tij.