Vendosni fjalën kyçe....

OBSH: Vendet e varfra do i marrin vaksinat në fillim të vitit 2021


Vendet e varfra do të fillojnë të marrin dozat e vaksinës kundër koronavirusit në fillim të vitit të ardhshëm nga një strukturë e krijuar për të siguruar një qasje të drejtë. Kështu ka deklaruar të premten Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe partnerët e saj.

Pothuajse dy miliardë doza të vaksinave kandidate janë siguruar për strukturën Covax, të drejtuar nga OBSH së bashku me aleancën e vaksinave Gavi dhe Koalicionin për Inovacione të Gatishmërisë Epidemike (CEPI).

Vendet si Shtetet e Bashkuara dhe Britania, tashmë kanë filluar procesin e vaksinimit me vaksinën e krijuar nga Pfizer dhe BioNtech, ndërkohë që një tjetër vaksinë e zhvilluar nga Moderna pritet të marrë miratimin së shpejti. OBSH tha që ishte në diskutime me të dy kompanitë.

“Marrëveshjet e njoftuara sot do të mundësojnë që të gjitha ekonomitë pjesëmarrëse të kenë qasje në doza në gjysmën e parë të vitit 2021, me dërgesat e para që pritet të fillojnë në tremujorin e parë të 2021.”- thanë OBSH, Gavi dhe CEPI në një deklaratë, citon NDTV.

Shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha në një konferencë virtuale për shtyp se “drita në fund të tunelit është rritur dhe është pak më e ndritshme”.

“Por ne do t’i japim fund pandemisë vetëm nëse e përfundojmë kudo në të njëjtën kohë, që do të thotë se është thelbësore të vaksinohen disa njerëz në të gjitha vendet, në vend të gjithë njerëzve vetëm në disa vende.”- shtoi ai.

Shefi i CEPI-t Richard Hatchett tha se përpjekjet masive të kërkimit dhe zhvillimit po jepnin rezultat.

“Tani kemi vaksina të sigurta dhe efektive që mund të mbrojnë kundër Covid-19 dhe një rrugë të qartë për të siguruar dy miliardë doza për popullatat në rrezik më të madh në të gjithë botën.”– tha ai.

Shefi i Gavi-t, Seth Berkley nga ana tjetër përshëndeti “shpejtësinë dhe shkallën e paparë” të projektit.

Afro 2 miliardë doza vaksine kundër COVID-19 janë siguruar për shpërndarje proporcionale në vitin 2021 në 190 vendet që kanë nënshkruar marrëveshjen.  Zyrtarë të kompanive prodhuese të vaksinës thanë se parashikojnë të fillojnë dërgimin e vaksinave në tre-mujorin e parë të 2021-shit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *